Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar pasi ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë dhe heqjen e vizave për turistët rusë.
Balla në një prononcim për mediat përpara Kuvendin të Shqipërisë, është shpreur se Berishës i ka mbaruar koha.
Kreu i grupit socialist theksoi se kryeministri Edi Rama e ka shprehur qartë pozicionin e Shqipërisë dhe se ata janë të gjithë me Ukrainën që po përballet me agresionin rus.
“Kuvendi i Shqipërisë sot kishte një seancë të posaçme me tepër rëndësi. Për të gjithë ishte e qartë edhe pozicioni i Shqipërisë i shprehur nga kryeministri Rama. Dhe po ashtu i qartë ishte edhe vlerësimi nga zoti Zelensky.
Në këtë aspekt kashtë mbi tjegulla mund të pretendojë të vendosë gjithkush. Nuk është momenti që politikanë të caktuar që e kanë mbyllur kapitullin e tyre të vijnë me propozime që as nuk kanë vlerë. Agresioni i pajustifikueshëm rus e ka bërë botën më të bashkuar se kurrë. Shqipëria do të ndërmarrë të gjitha hapat. Të merremi me gjëra serioze dhe jo me tollumbase populiste të ndonjë politikani që koha i ka mbaruar me kohë. Zoti Berisha nuk ekziston për mua.
Në fjalën e kryeministrit Rama keni një përgjigje të saktë për të gjitha hapat që do të marrë. Ne jemi të gjithë me Ukrainën”, tha Balla.
Gjatë mesazhit të tij në Kuvendin e Shqipërisë presidenti ukrainas vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë, ndërsa kërkoi që të mbyllen portet për anijet ruse si dhe të kufizohen gjithashtu turistët rusë./albeu.com/