Pediatrja Lira Gjika përmes një statusi në rrjetet sociale ka ndarë me të gjithë nënat një këshillë që sipas saj është parësore në rritjen e një fëmije të shëndetshëm.
“Ju nëna të reja që sapo keni lindur fëmijën tuaj, por edhe ju nëna që po prisni të lindni e të njihni fëmijën tuaj, gjënë e parë që do të bëni është të tentoni të ndërtoni shikimin sy në sy me fëmijën tuaj. Kur i flisni fëmijës dhe e përkëdhelni, përpiquni derisa të realizoni shikimin sy më sy. Ky veprim është shumë i rëndësishëm për fëmijën tuaj, pasi shmang zhvillimin e problemeve të shëndetit mendor, si skizofrenia dhe autizmi.
Në dy vitet e para të jetës kur elasticiteti i trurit është në maksimum, pikërisht ky kontakt sy në sy dhe e folura saktë duke i treguar e kënduar për gëzimin që ndjeni që e kini në krah apo i përshkruani se si dora e saj apo atij e vogël, çdo ditë shton aftësinë e lëvizjes dhe të kapjes, ndihmojnë fëmijën të mos zhvillojë problemet që përmendem më lart. Ndërtimi i shikimit sy më sy, e folura e saktë dhe shmangia e celularit deri në moshën dy vjeç, mbrojnë shëndetin mendor të fëmijës tuaj”, – shkruan ajo./albeu.com