Propozimet e para nga baza e demokratëve për ndryshime statutore vijnë për drejtuesit e tyre të sapozgjedhur, me parimin një anëtar, një votë.
Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso, tregon se Kuvendi i 30 prillit pritet që të sjellë një sërë ndryshimesh nga statuti i 11 dhjetorit, që lidhen me përbërjen e Këshillit Kombëtar të PD-së:
“Kanë ardhur propozimet nga degët për një traditë të PD-së, që parashikon që kryetarët e degëve, për shkak se janë zgjedhur me një anëtar, një votë, do të jenë pjesë e Këshillit Kombëtar.
Ka pasur edhe propozime të karakterit teknik, për të rregulluar ato hapësira që janë lënë bosh, që kanë të bëjnë me organizimin e partisë”.
Ky kuvend pritet që të vendosë edhe mbi datën e re në të cilën anëtarësia do të thirret për të zgjidhur kryetarin e ri të demokratëve: “Kushtet janë pjekur për të përcaktuar modalitetin për kryetarin e ri, afatet kohore që do të zhvillohet gara, për të vendosur dhe fushatën që do të mbajnë kandidatët për kryetar e deri te data e finalizimit të këtij procesi”.
Prej javësh, demokratët janë përfshirë në një proces të rinovimit të institucioneve në bazë, që duhet të përfundojë deri në Kuvendin e 30 prillit./albeu.com