Ben Blushi ka rrëfyer detaje nga jeta e artistit Bojken Lako.
Blushi ka ndarë në profilin e tij personal një bisedë me artistin, Bojken Lako, i cili u dënua pasi hapi katër dritare në një ndërtesë, që do e kthente studion e tij muzikore.
Në këtë bisedë, ai zbulon gjithçka rreth muzikantin, nga dënimi, marrëdhënia me lëndën narkotike, të cilën Lako thotë që e ka lënë nga viti 2004, arsyeja e ndarjes me këngëtaren Semi Jaupaj, jetesa me të ëmën dhe mendimet për ish-bashkëshorten e tij, Olesia Duka që ndodhet në burg se akuzohet për mashtrim.
Postimi i plotë:
DRITARET E BOJKEN LAKOS
Dëgjova që Bojken Lako mund të shkojë në burg.
I çova një sms. Mu përgjigj pas dy ditësh. A mund te takohemi pas orës 11 paradite, më tha. Deri në atë orë punoj.
U takuam te Rruga e Ambasadave.
Ça bën, i thashë
Punoj në një televizion, tha. Zgjohem çdo ditë në ora 5 të mëngjesit.
Ça thua, i thashë, kur unë drejtoja një televizion askush nuk zgjohej në 5 të mëngjesit.
Epo varet ça televizioni ke punuar, tha Bojken.
Me ça shkon në punë kaq herët, i thashë
Lëre, tha, paguaj 200 mijë lekë taksi çdo muaj
Po pse nuk ke makinë?
E demolova, tha, e shkatërrova me qëllim
Si e demolove?
Piva shumë, tha, dhe doja të bëja një dëm. Për fat nuk vrava asnjeri
As veten, i thashë
Jo, tha, shpëtova me një dhëmb të thyer. Isha me 100 km në orë te rruga Myslym Shyri
Vetëm një herë jam dëmtuar në makinë dhe kjo ka ndodhur kur makina ishte e parkuar, thashë unë
Unë e kam për herë të dytë, tha Bojken. Herën e parë rashë në Lanë
Kishe marrë ndonjë gjë, e pyeta
Jo, tha. Askush nuk e beson që nuk marr asgjë që nga viti 2004
Po me makinën çu bë?
Atë e hodha. Kam një makinë të babait, Bujos, (Bujar Lakos), është një Suzuki e 1994. Me nja dy milion bëhet e re. Është komplet mekanike. E mbaj në garazh.
Pse do të fusnin në burg?
Kishin të drejtë, tha, po u sollën mirë
Si u sollën mirë duke të çuar në burg?
Kam marrë një magazinë me qira. Për koncerte. Aty bëheshin bukët për ushtrinë. Dritaret ishin mbyllur me tullë. Vendosëm ti hapnim për ajër. I ramë me vare. I prishëm.
Shumë mirë bëre, ça ndodhi pastaj
Na spiunuan komshinjtë. Ata do ndërtonin pas nesh dhe muri duhej të ishte kallkan. Pa dritare. Sipas kodit penal dënimi ishte nga 3 në 6 vjet burg. Ishte shtuar një nen i ri.
Paske shpëtuar mirë,
Po, tha, me shërbim prove, duhet të paraqitem.
U morën të gjithë me ty, a thua se kishe bërë ndonjë pallat pa leje,
Çe pyet, tha Bojken, më thirrën dhe në Ministri
Ça donin, i thashë
Duan të bëj koncerte në burg për të ndryshuar imazhin e burgjeve
Do të paguajnë, e pyeta
Se besoj, tha. Ku kanë lekë burgjet
Do shkosh?
Do shkoj, më vjen keq për ata aty brenda. Kam jetuar me një grua që tani është në burg
Po tani me kë jeton?
Që kur u ndava me Semin, jetoj me mamin
Pse u ndave, e pyeta, ajo ishte vajzë e mirë
E mirë ishte, po kishim diferencë. Ajo 26 unë 47
Si është të jetosh me mamin?
Shumë mirë, tha Bojken. Tani më shkruajnë shumë vajza në instagram
I takon?
Kur kam kohë,
Po flokët i lyen, e pyeta
I lyej, duhet të dukem pak më i ri. Pse ti nuk i lyen?
Skam kaq guxim sa ty,
Të shkojnë të thinjur, tha Bojken, mos i lyej
Dua të të bëj një fotografi, i thashë
Po, tha, patjetër. Edhe Bujo nga fundi bënte fotografi. Ça nuk sajonte. Me celular. Ti paske aparat. Sa fotografi ke?
Për katër muaj rreth 40 mijë.
Shumë, tha. Bashkë me mua dyzet mijë e një.
Mbase bëjmë më shumë se një shkrepje, i thashë.
Dolëm jashtë
Ja këtu, i thashë, po s’kemi shumë dritë
Unë nuk di të pozoj, tha
Ska lidhje, i thashë, kur një fotografi del keq fajin s’e ka ai që fotografohet, por ai që fotografon
Ja tregova.
Boo, tha, jam i fryrë. Nga alkooli
Në bardhë e zi nuk do dukesh, i thashë
Duhet te iki, tha Bojken. Do shkoj te magazina. Argonaut Art Factory. Është Berlin style.
A të vi dhe unë, e pyeta
Jo jo, një herë tjetër, sot do vijnë ca tipa që ke parasysh pinë pak. Janë kengëtarë të rinj
Ska gje, i thashë, më pëlqejnë këta tipa, mund ti fotografoj
Jo jo, tha Bojken do të them një herë tjetër
Shiko, i thashë do i shkruaj këto që biseduam
Shkruaj çfarë të duash, tha
Jo, i thashë ato që më the për atë gruan në burg nuk i shkruaj
Si të duash, tha.
Dhe iku./albeu.com/