Media italiane, Corriere Della Sera, ka publikuar një artikull sot ku ka zbardhur një pjesë të përgjimeve që çuan pas hekurave këngëtaren e famshme shqiptare, Elsa Lila.
Për Elsa Lilën, po ashtu si në Shqipëri, edhe në Itali funksiononte skema e njohjeve.
“Shko, shko atje, ndërro vend”, mësohet t’i ketë thënë Lila trafikantit. Gjatë bisedës së zbardhur nga përgjimet, Lila më shumë se policisë i frikësohej hajdutëve, pasi mund t’i vidhnin kasafortën e parave, që dyshohet se ishin produkt i trafikut të drogës.
“Nëse ‘kutia’ hapet, do duhet të bëjnë një burg të ri në Romë!”.
“Nuk më vjen njeri nga shteti për të më kontrolluar, më njohin, kam marrëdhënie të shkëlqyera. Në një rast “më dhanë një gjobë por më thanë të mos e paguaja sepse nuk do ta kontrollonin”. Sepse këtu “si në Shqipëri duhet një mik/lidhje me shtetin, se çfarëdo qeverie të jesh do të shpëtosh, duhet të gjesh një rrugë pasi edhe këtu shiten kaq shumë”, është një pjesë nga përgjimi i këngëtares.
Mësohet se artistja shqiptare mbante “Kutinë e Babagjyshit”, e cila konsistonte në arkën e fshehur ku kishte para dhe fatura nga banda e trafikantëve. Gjyqtari e konsideron Elsa Lilën plotësisht “pjesëmarrëse në organizatë” dhe “person të besuar” të Bocit, të cilit i ofroi shtëpinë e saj në verën e 2019 për t’u fshehur nga policia.
Tetë persona të tjerë përfunduan në qeli, dhe tre të tjerë, mes të cilëve kreu i bandës shqiptare, Arindi Boci, i njohur si “Rindi”, është i arratisur. Për hetuesit Lila ishte kontabilistja e grupit. Këngëtares shqiptare pritet që ti komunikohet masa e sigurisë në ditët e ardhshme.