Në Pragë, qindra mijëra qytetarë dolën në protestë kundër planit të qeverisë së kryeministrit Andrej Babis për të ndryshuar financimin e medias publike.
Sipas organizatorëve, në tubim morën pjesë nga 350 mijë deri në 450 mijë persona. Projektligji që nxiti protestat parashikon heqjen e tarifës së transmetimit dhe kalimin e financimit të televizionit e radios publike drejtpërdrejt te buxheti i shtetit. Ai përfshin edhe një ulje të fondeve me rreth 15 për qind.
Të lidhura
None found
Kundërshtarët paralajmërojnë se kjo mënyrë financimi mund të cenojë pavarësinë editoriale të transmetuesve publikë, si dhe të sjellë shkurtime të programeve dhe vendeve të punës. Nismën e kundërshtojnë opozita, organizatat e shoqërisë civile dhe punonjësit e medias, të cilët zhvilluan edhe një grevë në fillim të nëntorit.
Protestuesi Jan Snasel tha se pavarësia e medias duhet mbrojtur. Sipas tij, qeveria po përpiqet ta marrë atë nën kontroll duke i pakësuar fondet dhe duke ndikuar në përmbajtjen e transmetuar. Ai u shpreh se qytetarët duan media të pavarura, të afta të shërbejnë si kundërpeshë ndaj çdo qeverie të ardhshme.
Lucie Fajfrova, gjithashtu pjesëmarrëse në protestë, tha se kishte ardhur për të mbështetur median e lirë, Televizionin Çek dhe Radion Çeke, por edhe kulturën e mbrojtjen e mjedisit. Ajo theksoi se shqetësimet shkojnë përtej medias dhe lidhen me gjendjen më të gjerë të shoqërisë. Fajfrova shprehu dëshirën që protesta të ketë ndikim dhe shpresën që energjia e këtij grumbullimi qytetar të sjellë ndryshim.
Qeveria çeke thotë se reforma do ta bëjë sistemin më efikas dhe do të heqë një tarifë që e cilëson të padrejtë. Koalicioni qeverisës ka shumicën në parlament për ta çuar përpara miratimin e projektligjit, pavarësisht protestave. Ndërkohë, pjesëmarrja masive po rrit presionin politik mbi ekzekutivin. Organizatorët kërkojnë tërheqjen e nismës dhe garanci për pavarësinë e medias publike.







