Policia ka vënë në pranga tre të rinj në kuadër të operacionit policor të koduar “Triple Play”.
Luftar Brahilika, Renardo Brahilika dhe Maringlen Lala në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zonën e Kamzës.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Triple Play”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.
Sekuestrohen dy pako me kokainë, tre aparate celulare dhe një automjet.
Vihen në pranga 3 shtetas.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, se tre shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zonën e Kamzës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Triple Play”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– L. B., 47 vjeç, R. B., 30 vjeç, të dy banues në Kamzë, dhe M. L., 31 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, banues në Bathore.
Shtetasi L. B., së bashku me nipin e tij, shtetasin R. B., pasi siguronin lëndën narkotike kokainë të pastër në sasi të mëdha, në bashkëpunim dhe me shtetasin M. L., e përpunonin duke e përzier dhe e ndanin atë në doza, të cilat më pas i shisnin në zonën e Kamzës kundrejt vlerës 50 euro një dozë kokainë.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit R. B., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dy pako me sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit kokainë (me peshë 213 gramë).
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 aparate celulare dhe 1 automjet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme./albeu.com