Protesta kundër luftës në Ukrainë, qindra të arrestuar në Rusi

Më shumë se 600 protestues janë arrestuar në 21 qytete ruse, sipas grupit monitorues OVD-Info, pasi opozitari i burgosur Alexei Navalny u bëri thirrje rusëve të protestojnë kundër luftës në Ukrainë.

Grupi i monitorimit, duke cituar burime të medias lokale, tha se më shumë se 200 persona u arrestuan në një qytet siberian Novosibirsk.

Navalny bëri thirrje për demonstrata në sheshet kryesore të qyteteve ruse në orën 14:00 me kohën lokale  në Moskë dhe Shën Petersburg që është 11:00 GMT.

Arrestimet masive janë bërë normë në protestat antiqeveritare në Rusi. OVD-Info thotë se të paktën 8,000 protestues janë arrestuar në Rusi që nga fillimi i luftës në Ukrainë 11 ditë më parë.

Protestat e së dielës pasojnë një ditë të demonstratave globale kundër pushtimit rus të Ukrainës të shtunën.


Shtuar 6.03.2022 11:20