EMRAT/ Aksion “blic” në Gramsh, arrestohen 3 persona

Tre persona ka rënën në prangat e policisë në Gramsh, pasu u janë gjetur drogë dhe sende të tjera të paligjshme.

Personat e arrestuar janë:

Arturt Bërdëllima

Klenson Toska

Ilirjan Roshi

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Gramsh 2022”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe lojërave të paligjshme të fatit.

Vihen në pranga 3 shtetas.

Sekuestrohen qindra doza me lëndë narkotike dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve pranë DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale pranë DVP Elbasan dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, pas një punë hetimore disamujore proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Gramsh 2022”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

A. B., 38 vjeç, banues në Gramsh, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë;

K. T., 33 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”;

I. R., 59 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Moskallëzimi i krimit”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shtetasit I. R., Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi dozash me lëndë narkotike që i përkisnin shtetasit A. B., i cili në bashkëpunim me shtetasin K. T., i shpërndante kundrejt fitimit, në qytetin e Gramshit.

Gjithashtu, në momentin e ndalimit, shtetasit I. R. i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një aparat celular që e përdorte për baste sportive online.

Po në kuadër të operaconit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. B., Policia gjeti qindra doza me lëndë narkotike dhe qese farmaceutike për paketimin e tyre, ndërsa në banesën e shtetasit K. T. gjeti një sasi fishekësh për armë zjarri dhe për armë gjahu.

Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, prej disa kohësh ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes/shitjes së lëndës narkotike cannabis sativa, me përdorues të ndryshëm, në qytetin e Gramshit.

Materialet proceduarale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme. /albeu.com


Shtuar 18.02.2022 11:35