Përleshje pa të shtëna armësh midis Perëndimit dhe Rusisë

Nga Paolo Mauri “Il Giornale

Kur mbi një krizë ndërkombëtare bie “mjegulla e luftës”, është gjithnjë e vështirë ta dallosh propagandën nga realiteti. Shpeshherë edhe rregulli i artë, që pretendon të vëzhgojë faktet, në vend se të dëgjojë vetëm deklaratat e palëve të përfshira në një konflikt, nuk shërben për të pasur një pasqyrë të qartë të situatës.

Dhe kjo sepse sot ekzistojnë mekanizma për maskimin e synimeve, të cilat shfrytëzojnë të njëjtat burime mediatike të ditëve të sotme, që na lejojnë të shkojmë përtej fjalëve të thjeshta.

Nga ky këndvështrim, Rusia ka qenë gjithmonë një mjeshtre e taktikave:maskirovka dhe dezinformatsiya, maskimi dhe keqinformimi, përdoren rëndom nga Moska për ta ngatërruar kundërshtarin dhe për të dhënë informacione të rreme.

Por ato përdoren në mënyrë aktive, deri edhe për vrasjen e personaliteteve politike dhe përmbysjen e qeverive legjitime. Ne flasim shpesh, dhe ndonjëherë në mënyrë të gabuar,

për luftën hibride ruse, pa marrë parasysh faktin se Rusia përdor të njëjtat mjete subversive, dezinformimi dhe presioni ekonomik, që janë përdorur gjithmonë në kontekstin e konflikteve moderne, dhe që nuk përfshijnë përdorimin e burimeve ushtarake.

Dhe në këtë aspekt gjenerali Valery Vasilyevic Gerasimov ka qenë një novator, duke e përditësuar modelin Luftës Hibride të zhvilluar më herët në vitet 1990 nga Gareev dhe Slipcenko.

Por është aspekti politik, ai që ndikon më shumë në luftën e gjeneratës së re, dhe vetëm falë këtij formulimi, trupat paraushtarake dhe PMC (Kompanitë Private Ushtarake) emërtohen për herë të parë dhe hapur si mjete thelbësore të kësaj doktrine.

Prandaj, instrumentet politike kanë një rol kryesor në mosmarrëveshjet bashkëkohore midis kombeve, me ato ushtarake (duke përjashtuar milicitë përfaqësuese dhe kompanitë kontraktore) që kalojnë në sfond, si një lloj mjeti i fundit për ta zgjidhur një konflikt.

Vetë politika, që falë rrjeteve sociale dhe internetit, është bërë e aftë të hyjë në kohë reale jo vetëm në shtëpitë tona, por edhe në forumin diplomatik ndërkombëtar, është aktorja kryesore e luftës hibride nëpërmjet medias, e përdorur si një shumëfishues i forcës.

Përballja aktuale për Ukrainën nuk ishte një përjashtim. Një shembull i kësaj janë fjalët e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila reagoi në lidhje me datën e sulmit të mundshëm të raportuar nga Uashingtoni.

Në një postim në rrjetet sociale, ajo tha se “15 shkurti i vitit 2022 do të hyjë në histori, si dita në të cilën dështoi propaganda për luftën”. “Ata janë poshtëruar dhe shkatërruar pa gjuajtur asnjë plumb”- theksoi ajo.

Po ashtu disa ditë më parë Zakharova raportoi nëpërmjet llogarisë së saj në platformën Telegram, ato që sipas Moskës, janë “shembuj të publikimeve të një fushate keqinformimi në shkallë të gjerë nga ana e mediave perëndimore, të cilat promovojnë tezën mbi pushtimin e afërt rus të Ukrainës”.

Dhe në morinë e artikujve që janë cilësuar si “lajme të rreme” përfunduan media si Bild, Bloomberg, Guardian dhe Ëashington Post. Në të njëjtin postim, zëdhënësja ruse shtoi dozën e sulmeve duke thënë se “një përmendje të veçantë, meriton qëndrimi i zyrtarëve perëndimorë në kuadër të një fushate të madhe keqinformimi kundër Rusisë”.

Madje Zakharova flet për një “komplot” të autoriteteve të vendeve perëndimore dhe mediave, për të intensifikuar tensionin në Ukrainë, përmes shpërndarjes masive dhe të koordinuar të informacionit të rremë për interesa gjeopolitike, dhe që synojnë në veçanti “të largojnë vëmendjen nga veprimet e veta agresive”.

Në këtë narrativë ruse, e cila duhet thënë se është lehtësuar paksa nga disa media perëndimore në kërkim të skupit sensacionalist, britanikja “The Sun” ka gjetur sërish hapësirë, që duke iu referuar burimeve anonime të inteligjencës amerikane, të pretendonte së fundmi se Rusia do ta pushtonte Ukrainën në orën 1 të natës së 16 shkurtit, duke shkaktuar komente ironike nga ana e rusëve.

Nga ana e perëndimorëve, instrumenti kryesor i kësaj lufte informative, përveç raporteve të Departamentit të Shtetit, se Moska do të godasë para përfundimit të lojërave dimërore (më 20 shkurt), ishin burimet e shërbimeve sekrete, ato që citohen nga gazetat kryesore, për ta vënë theksin tek lëvizjet e trupave dhe automjeteve ruse në kufi me Ukrainën.

Objektivi politik duket se është gati të demaskojë qëllimet e vërteta të Moskës në sytë e opinionit publik botëror. Por siç kemi pasur rastin të themi edhe më herët, kjo është një thikë me dy presa. Moska di t’i trajtojë me mjeshtëri të dhëna të caktuara që janë në avantazhin e saj.

Prandaj çdo informacion arrin përmes burimeve të hapura, qofshin këto imazhe satelitore (natyrisht nga kompani private), video të marra nga vëzhgues të rastësishëm, apo deklarata zyrtare apo gjysmë zyrtare, duhet të vlerësohen dhe analizohen me kujdes si një nga pjesët e shumta të një mozaiku më të madh, nga i cili do të na mungojë gjithmonë pjesa më e madhe e pjesëve, duke mos pasur qasje të drejtpërdrejtë në burimet e shërbimeve sekreteve ushtarake./abcnews.al


Shtuar 18.02.2022 09:39