Koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, analisti: Kthim në Strofkën e Ariut

Nga Frrok Çupi

Të dy, më në fund, erdhën në një pikë: Me koalicion të përbashkët, me korrupsion të përbashkët, me të njëjtën kompani kundër Shteteve të Bashkuara…

Pas çdo gjuetie të përbashkët, ata deshën të ndahen. Por kurrrë nuk mundën; njësoj si t’i kishte mbyllur ariu në strofkën e tij; të dy vijnë nga zona ku kafsha e egër jeton lumturinë: Shkëlzen dhe Çepan. Ilir Meta ishte vetëm 24 vjeç, ndërsa Sali Berisha dyfishi i tij, 49. Në fillim të vitit 1993, Berisha president i Republikës urdhëroi burgosjen e Fatos Nanos- kryetar i Partisë Socialiste në opozitë dhe ish kryeministër.
Nëse Sali Berisha e kishte nisur gjuetinë vite më parë, me rastin e ‘vrasjes’ së Fatos Nanos u bënë bashkë dhe nuk mundën të ndahen kurrë më. Pse ‘nuk mundën’ të ndahen?

Nëse presidenti i republikës nuk kishte ‘Gjethin e Kuq’ në radhët e Partisë Socialiste, as që mund të mendohej se lideri i opozitës të mbetej në burg politik për katër vjet. Edhe direktivat e Nanos për PS nga burgu i Bençës, vinin direkt e në dorë të Ilir Metës. Pa ‘Gjethin…’ në PS, Berisha nuk do të mund nxirrte në pritë dhe të masakronte krerët e PS mu në sheshin ‘Skënderbe, në 28 Maj 1996. Ajo është dita e zezë kur presidenti vodhi zgjedhjet dhe lau në gjak opozitën. Vetëm Ilir Meta, ‘ylli në ngjitje’, nuk u shfaq në shesh ku po gjuante miku i tij Berisha.

Pas sheshit, përgjakja u shtri në të gjithë vendin. Në çdo moment kur Berisha i jepte shenjë Metës që ‘të ulte kokën pas gëmushës’, ai këtë gjë bënte, me qëllim që menjëherë të shfaqej në gjuetinë e radhës. U zhduk gjatë luftës civile në vitin 1997, për t’u shfaqur në grushtin e shtetit- 1998. ‘Grushti’ e ngriti deri në postin e kryeministrit vetëm një vit më vonë, 1999.

Pa gjashtë vjet gjueti e përbashkët, 1999-2005, mes Berishës dhe Metës, Berisha nuk do të mund fitonte kurrë zgjedhjet e qershorit 2005; fitore që tronditi botën moderne duke e dëshmuar popullin shqiptar të nënshtruar para presidentit mizor që kishte ngritur ushtrinë e vendit dhe vullnetarët e Veriut në luftë për vdekje kundër popullsisë së jugut. Por kjo ndodhi; ndodhi në gjueti.

Në Janar të vitit 2012, të dy gjuetarët vendosën të dalin nga ‘Strofka e Ariut’, trimëria para popullit kishte kapur qiellin. Ajo qe një mbrëmje jo kaq e akullt sa ishin mbrëmjet e këtij janari: Në rrugën ‘Pjetër Bogdani’, në bllok, u shfaq bujshëm eskorta me makinat e zeza të kryeministrit Berisha. U ndal para shtëpisë së Ilir Metës; shtëpia ndodhej në katin e fundit të pallatit në qosh; ashensori ishte i dedikuar për në shtëpinë ku ‘qeveriste’ vjehrra…, dhe Berisha u ndal dhe tundi gishtat me buzën vesh më vesh.

Një vit para atij viti, fiks në janar 2011, mes strehës së Metës dhe strehës së Berishës, në një cep bulevardi që ka emrin e dëshmorëve të Kombit, në oborrin e selisë së qeverisë, u vranë katër burra, të katër protestues kundër korrupsionit monstër të Ilir Metës.

Për vrasjen, gishti u drejtua te Sali Berisha, kryeministër; gisht që nuk i ndahet kurrë. Shkak i urrejtjes popullore ishte bërë një dokument me zë dhe me figurë i transmetuar në publik, ku Ilir Meta, zëvendës i Berishës, shfaqej duke marrë në dorë mijëra euro rryshfet për tenderët qeveritarë. Dosja u quajt ‘Korrupsioni i Metës filmuar nga ministri Prifti’. Dritan Prifti ndërroi jetë, ndërsa Berisha i kërkonte Metës të kthehej përsëri zëvendës- kryeministër.

Kur Sali Berisha doli nga shtëpia e Metës, foli me mburrje para mediave: ‘Pimë verë shumë të mirë’, tha. 24 orë pas kësaj nate ‘mexhlisi’ me verë të kuqe, Gjykata e Lartë do të vendoste mbi korrupsionin e Metës. Vendimi ishte ‘brilant’, i larë në verë rubin dhe i glorifikuar për shkak të fuqisë së kryeministrit Berisha mbi gjykatat, prokurorinë dhe Drejtësinë.

Sali Berisha dhe Ilir Meta, sa kanë bërë gjueti në ‘parkun e kafshëve të buta’ kundër jetës së të tjerëve dhe interesave të vendit, jo rrallë herë kanë gjuajtur edhe njëri tjetrin. Ka ndodhur që nuk i kanë përmbajtur pasionet, por nuk e kanë pasur guximin që të ndahen prej njëri tjetrit. Berisha e ka akuzuar Metën në sallën e Parlamentit si ‘trafikant droge dhe qeniesh njerëzore’, dhe si ‘vrasës’, që i ka ‘fshehur kufomat në Malin e Dajtit. Edhe Ilir Meta ka urdhëruar Policinë për arrestimin e Berishës. Meta i është përgjigjur Berishës se ‘burgun nuk e bëj për Shkëlzenin tënd’, duke lënë të varur në një degë peme pushkën e gjuetarit për nesër.

Në të gjitha rastet e ‘gjuetisë ndaj njëri tjetrit’, Berisha dhe Meta, në vend që të humbnin armët, në fakt kanë marrë fuqi të reja. Tragjikisht, Berisha mendoi se mori fuqi edhe kur vrau katër protestues në bulevard dhe 27 njerëz në Gërdec. Të dy e kanë gjetur ‘fuqinë’ në kualitetin e dobët të ‘gjahut’. Qytetarët shqiptarë u mashtruan nga parullat e ‘njerëzve të ndershëm e demokratë’, dhe njëkohësisht dëshmuan se vuajnë nga ‘sindromi i Stokholmit’, ku në shekuj të shkuar janë kryer operacione të mëdha ‘hunting’…

Kjo që po ndodh tani është gjuetia e fundit. Sali Berisha, i qëlluar nga Shtetet e Bashkuara me ‘non grata’ për minimin e shtetit të demokracisë dhe korrupsion të madh, nuk ngrihet dot më. Megjithatë, deri në orën e fundit i rri zakonit të gjuetarit; ai i është mbështetur Ilir Metës dhe po i kërkon të hyjë në ‘Strofkën’e tij LSI, si në strofën e Ariut atëherë. Këtë po e bën. Por nuk është e qartë: Vallë Berisha po gjuan Metën, apo Meta e ka futur në ‘qark’ Berishën. Ilir Meta po vigjilon, nëse me ‘gjahun’ Berisha mund të rregullojë ndonjë punë të tij, apo ta lërë gjahun në Shpellën e madhe e të mos e njohë më kurrë.

Kjo prapë varet nga e kaluara; asnjëri nuk ka të ardhme ‘në pyllin tonë’.


Shtuar 2.02.2022 11:33