Prapaskenat e koalicionit me LSI-në, Berisha zbulon nëse e ka takuar Ilir Metën

Ish-kryeministri Sali Berisha foli për negociatat që po zhvillon me Lëvizjen Socialiste për Integrim lidhur me ndërtimin e koalicionit të zgjdhjeve të 6 marsit.

Berisha tha se për arritjen e një koalicioni të përbashkët kishte takuar edhe presidentin e Republikës Ilir Meta.

Komentet Berisha i bëri në Syri TV ku ishte i ftuar.

“Vetëm për këto zgjedhje do jemi me LSI. Marrëveshjen po e firmosin Flamur Noka nga ana jonë dhe sekretari i Përgjithshëm i LSI nga ana e tyre. Do jenë edhe parti të tjera si Partia Demokristiane, etj.

Me LSI-në kemi pasur bisedime në të gjitha nivelet. Edhe unë kam pasur bisedime me zotin Meta. Nuk kemi folur për detaje, por ju e dini që unë kam deklaruar se jam për koalicion me LSI-në. Nuk e kam fshehur këtë”, tha Berisha.

I pyetur se me ç’tagër kishte negociuar një marrëveshje për LSI-në, Presidenti i Republikës, Berisha tha se me Metën nuk kishte pasur negociata, por vetëm bisedime në parim.

“Nuk kanë qenë negociata, por kemi folur për këtë. Unë e kam takuar zotin Meta. Kam takuar të gjithë kryetarët e partive opozitare, përveç zotit Dule që ndodhet jashtë vendit. Por edhe me të kam kontaktuar në telefon”, tha Berisha.

Pak ditë më parë Presidenti Meta mohoi ta ketë takuar së fundmi Berishën duke u shprehur se kishte mbi 1 vit që nuk ishte ulur me të dhe për këtë shprehu madje keqardhje./albeu.com/


Shtuar 31.01.2022 22:23