Reja: Politika nuk duhet të përzihet me futbollin

Zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit kanë prodhuar shumë zhurmë gjatë kësaj periudhe. Kryebashkiaku Erion Veliaj është angazhuar me pretekstin se është aksioner i Tiranës, ndërkohë që në FSHF konsiderohet si ndërhyrje e politikës.

Gjatë këtyre ditëve ka pasur shumë ngjarje, madje në portën hyrëse të shtëpisë së presidentit të FSHF, Armand Duka, u vendos edhe një lëndë plasëse. Kjo ka sjellë reagime të shumta.

Edhe trajneri i kombëtares shqiptare, Edy Reja, ka folur dhe për “Corriere dello Sport”. FSHF ka publikuar deklaratën e tij në webin e saj: “Dua të shpreh solidaritetin tim të plotë për Presidentin Duka. Nuk më kishte ndodhur kurrë më parë të shihja një incident  të ngjashëm të kësaj natyre, më vjen vërtetë keq për Dukën.

Kam dëgjuar rreth disa polemikave në Shqipëri, por mund të them që politika nuk ka vend në futboll. Me Federatën Shqiptare të Futbollit po bëjmë një punë të jashtëzakonshme. Do të ishte mëkat të prishej apo të vihej në diskutim”.

/ h.ll/albeu.com


Shtuar 27.01.2022 12:11