Sot protesta për shembjen e Teatrit, zbardhet porosia e Bashës

Opozita e bashkuar do t’i bashkohet sot protestës së thirrur nga Aleanca për Teatrin në orën 16:30.

Kreu i selisë blu, Lulzim Basha, mblodhi dje kryesinë dhe ish-grupin për t’i dhënë detyrat në mënyrë që të maksimalizohet pjesëmarrja e qytetarëve në protestë.

Protesta do të ketë edhe në vende të tjera, ku do të ketë tentativë nga ana e Policisë së Shtetit për të mos lejuar ardhjen e qytetarëve në Tiranë.

Po ashtu, mësohet se kryedemokrati Basha ka porositur kryesinë dhe ish-grupin parlamentar që të mos shfokusohen nga problemet ekonomike, me të cilat po përballen qytetarët si pasojë e masave të marra nga qeveria për mospërhapjen e Covid19.

“Do të angazhojmë strukturat tona, që nesër të jemi në mbështetje të tyre. Në këtë protestë kundër këtij krimi makabër. Në një protestë jo vetëm në mbrojtje të Teatrit, por kundër tiranisë, shkeljes flagrante të ligjit. Janë ndarë detyrat për të siguruar pjesëmarrje maksimale nesër në protestë”, tha Basha mbrëmë pas mbledhjes.

Ndërkohë nuk u caktua një datë për protesta kombëtare të thirrura nga opozita. Në mbledhjen me dyer të mbyllura është diskutuar edhe çështja e tërheqjes së opozitës nga tryeza e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.

Mësohet se ish-deputeti Enkelejd Alibeaj është shprehur se pjesëmarrja e opozitës në atë tryezë është e pakuptimtë, pasi sipas tij, Kryeministri Rama siç vodhi Teatrin do të vjedhë edhe zgjedhjet. Por kjo ide e hedhur nga ish-deputeti Alibeaj është kundërshtuar nga përfaqësuesi i PD-së në Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, dhe anëtari i kryesisë, Tomorr Alizoti. Bylykbashi dhe Alizoti kujtuan se ngritja e një grupi të tillë pune ka qenë kërkesë e opozitës, ndaj tërheqja nuk do të ishte një lëvizje e mirëmenduar. Sipas burimeve, për të vendosur në lidhje me këtë çështje pritet që në ditët në vijim të ketë edhe një mbledhje të kryesisë së PD-së.

GABIMI I 17 MAJIT

Ditën e djeshme, kryedemokrati Lulzim Basha bëri edhe një mea culpa, ku pranoi gabimin e marrëveshjes së 17 majit të 2017-ës dhe tha se nuk do ta përsëriste një të tillë. Më herët ai u takua me aleatët, ku vendosën mbështetjen e protestave të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe organizimin e protestave kombëtare të thirrura nga opozita.

“Dita e sotme është një tjetër shembull i keq që vendi drejtohet nga një kriminel dhe nga një hajdut ordiner, i cili ka marrë peng shtetin e shqiptarëve, ka marrë peng institucionet e shqiptarëve, ka marrë peng bukën e gojës së shqiptarëve, ka marrë peng kulturën dhe shpirtin e shqiptarëve. Prej shtatë vitesh, Partia Demokratike dhe opozita kanë bërë betejë me këtë të keqe dhe me autorin e kësaj të keqeje, që është Edi Rama”, tha Basha pas mbledhjes me aleatët.

Por tema të diskutimit të kryedemokratit Basha me aleatët nuk ishin vetëm protestat, por edhe qëndrimi që duhet të mbajnë me ambasadorët. LSI ka kërkuar që të ketë një qëndrim të ashpër ndaj atyre, pasi sipas saj janë të njëanshëm, por kreu i PD-së ka kërkuar që të jenë më të moderuar.

Ai ka dhënë porosi që selitë diplomatike të informohen përmes një dokumenti me shkrim nga opozita. Ndërkohë, edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, sipas burimeve i kërkoi kryedemokratit Basha që të braktisin Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, por bashkë me kryedemokratin ka dalë kundër kësaj ideje edhe kreu i republikanëve, Fatmir Mediu./panorama/


Shtuar 18.05.2020 08:25