Bardhi del nga Prokuroria: Ne u vetëmbrojtëm nga sulmi i Berishës, 7 herë e telefonova policinë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u paraqit sot në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë dëshminë e tij rreth ngjarjeve të dhunshme të 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike.

Pasi përfundoi dëshminë para prokurorëve të çështjes, Bardhi në një prononcim para mediave tha se ka dhënë të gjithë shpjegimet e tij për atë që ka ndodhur atë ditë.

Numri II i PD ritheksoi se ka kontaktuar shtatë herë policinë dhe ndërhyrja është bërë 40 minuta me vonesë.

“Ka vijuar bashkëpunimi jonë me prokurorinë. Sot jam përgjigjur dhe kam dhënë shpjegime. Duke nisur me momentin kur mësynë selinë. Kontaktet që kam patur me policinë dhe cfarë ka ndodhur në katine d ytrë. Kam kërkuar zbardhjen e paltë të çështjes dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Autorët fatmirësisht as nuk fshihen, as nuk skuqen. Sali berisha ka marrë autorësinë e një akti të dhunshëm, bashkë me të edhe një pjesë tjetër. Unë pres nga prokuroria të vendosë para përgjegjësisë penale autorët.

Kam njoftuar prokurorinë që policia është njoftuar në orën 12:27. Ka patur një komunikim, kam telefonuar më shumë se 7 herë dhe ndërhyrja ka qenë 40 minuta me vonesë”, tha ai.

Bardhi tha gjithashtu se ka dhënë shpjegime edhe për lëndën në selinë blu, ndërsa shtoi se prokurorët gjetën vetëm fikset e zjarrit. Sipas tij nga brenda selisë nuk ka patur sulm, por vetëmbrojtje.

“Kam dhënë shpjegime të plota mbi çdo çështje të prokurorisë, përfshirë edhe lëndën dhe kam rikonfirmuar që e vetmja lëndë kanë qenë fikset e zjarrit.Kam dhënë deklarime për çdo çështje. Nuk ka pasur asnjë sulm nga asnjë person nga brenda selisë por akte vetëmbrojtje. Për këto episod kam dhënë shpjegimet e mia. Në dijeni time nuk kanë asnjëri prej tyre  asnjë precedent. Kam dhënë shpjegime, dhe kam rikonfirmuar atë që prokurorët që çdo person që ka qenë brenda i është nënshtruar kontrollit fizik. Dhe ripohoj atë që në fakt prokuroria pohoi në seancë gjyqësore. asnjë send i ndaluar nuk është gjetur në seli”, përfundoi Bardhi./albeu.com/