Kreu i PD-së Lulzim Basha ka mohuar të ketë komunikim me kryeministrin Rama, siç është akuzuar nga Berisha dhe mbështetësit e tij para, gjatë dhe pas protestës së 8 janarit.
Në një intervistë për ABC, Basha tha se ka komunikim vetëm me qytetarët dhe demokratët dhe se ata që ai i quan “Trekëndëshi i Bermudës” kanë komunikim të pandërprerë me njeri-tjetrin.
Pyetje: Zoti Basha, pse arriti Partia Demokratike në këtë pozitë që t’i krijojë një pozicion kaq komod kryeministrit Rama? Nga njëra anë ju e konsideroni Sali Berishën si “tub oksigjeni” për qeverisjen e Edi Ramës, nga ana tjetër Sali Berisha ju akuzon ju se me Policinë e Edi Ramës po mbroni selinë e Partisë Demokratike. Ju në fakt keni ndonjë komunikim drejtpërdrejtë me kryeministrin?
Lulzim Basha: Komunikimi im i vetëm është me qytetarët, është me demokratët. Komunikimi i trekëndëshit të Bermudës është i pandërprerë. Gjërat janë të ndara, duhet të kesh sytë e mbyllur, veshët e mbyllura dhe as dy pare mend në kokë, mos ta kuptosh.
Më herët, Lulzim Basha njoftoi në intervistën e dhënë për ABC se duke u nisur nga sjellja e mbështetësve të Berishës bën që PD të mos mjatfohet vetëm me pezullimin e tyre duke theksuar se për të, ata tashmë janë të përjashtuar.
Pyetje: Zoti Basha keni lënë një dritë le të themi portokalli për 19 funksionarët të Partisë Demokratike. Pse një pjesë e atij që quhet Komisioni i Rithemelimit janë parë me sy të mirë nga ju apo iu është dhënë drita jeshile ndërkohë për 9 funksionarë të tjerë përfshirë edhe Sali Berishën u mor vendimi që të përjashtohen përjetësisht nga Partia Demokratike?
Lulzim Basha: Nuk ka dritë jeshile për asnjërin. Të gjithë janë përjashtuar nga Partia Demokratike. Të pezulluarit kanë një mundësi të distancohen nga dhuna dhe distancimi i tyre nga dhuna do të vlerësohet nga institucionet e partisë. Mosdistancimi i tyre deri në këtë moment flet qartë për fajin e tyre./albeu.com