Kukësi-Dinamo do të luhet në “Kukës Arena”, të mërkurën e 19 janarit, në orën 16:45. SuperSport mëson se Federata Shqiptare e Futbollit e ka shtyrë takimin e javës së 16-të për mesjavën e ardhshme pas kërkesës së Kukësit, që raportoi disa të prekur me Koronavirus. Merr fund pritja e verilindorëve, të cilët tashmë e kanë gati shtëpinë e re, të rikonstruktuar plotësisht dhe me kushtet që kërkon UEFA.
Tapeti i impiantit të ri të Kukësi është tashmë gati dhe është ndezur drita jeshile se nga java e ardhshme do të mund të përballojë pas asnjë problem ndeshjet zyrtare të Abissnet Superiores. Prej më shumë se dy vitesh Kukësi nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare në shtëpinë tij, për shkak se stadiumi po ndërtohej nga e para, çka e ka penalizuar jo pak ekipin verior.
Sfida me Dinamos ishte menduar të luhej në “Elbasan Arena”, megjithatë shtyrja prej katër ditësh i ka dhënë kohën e mjaftueshme tapetit të “Kukës Arena” që të jetë gati e për të mbyllur plotësisht dhe rikonstruksionin e impianit më të ri në vend.
Kukësi ka grumbulluar 28 pikë pas 15 javësh, duke u pozicionuar në vendin e dytë të Abissnet Superiores, 5 pikë larg Tiranës kryesuese. Verilindorët besojnë se “Kukës Arena” mund të jetë faktor i rëndësishëm për ta në garën për titull, teksa do të provojnë që në gjysmën e mbetur të edicionit të arrijnë fitojnë titullin e dytë kampion në histori.