Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se varianti Omicron i koronavirusit duket se nuk shkakton sëmurje të rënda, në krahasim me variantin Delta, por nuk duhet të kategorizohet “i butë”.
Janet Diaz nga OBSH, ka thënë më 6 janar se studimet e hershme tregojnë se nga Omicron ka më pak mundësi të shtrimit të njerëzve në spital.
Ajo u ka thënë gazetarëve nga Gjeneva, se rreziku më i vogël vërehet si te të rinjtë, ashtu edhe te personat më të moshuar.
“Ndonëse Omicron duket se nuk shkakton sëmurje të rënda në krahasim me Deltan, sidomos te personat e vaksinuar, kjo nuk nënkupton se ai duhet të konsiderohet i butë”, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në të njëjtën konferencë për media.
“Sikur edhe variantet tjera, Omicron është duke shtrirë njerëzit në spital dhe po i vret ata”.
Ai ka paralajmëruar për një “cunami” të infektimeve globale.
Agjencia ka regjistruar 9.5 milionë raste të reja në gjithë botën, çka shënon rritje prej 71 për qind nga java në javë.
Numri i saktë i të infektuarve besohet se është shumë më i lartë pasi shumë rajone nuk janë duke testuar mjaftueshëm njerëz, apo raportimet nuk janë të plota./REL