“Lufta” për PD-në, Basha mbledh sot Këshillin Kombëtar

Partia Demokratike mbledh sot Këshillit Kombëtar në orën 17:30. Kjo u bë me dije pas Kuvendit të 18 dhjetorit ku u hodhën poshtë të gjitha vendimet e marra nga Kuvendi i Sali Berishës që u zhvillua një javë më parë se ai i Bashës.

Pasi Berisha shkarkoi Bashën, sekretarin e Përgjithshëm të PD Gazment Bardhin dhe 3 nënkryetarët në Kuvendin e tij, “hakmarrja” e kreut të PD ishte edhe më e ashpër. Lideri demokrat në Kuvendin e PD vendosi të shkarkojë Berishën nga çdo funksion drejtues në parti, duke e lidhur këtë me shpalljen “non-grata” të ish-kryeministrit nga SHBA.

Në të njëjtën ditë, Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha shkarkoi me referendum kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Dy liderët e grupimeve kundërshtare brenda forcës politike opozitare më të madhe në Shqipëri, Berisha dhe Basha, me vendimet e marra dhe sulmet e ndërsjellta po ecin drejt ndarjes.

Ndonëse Basha nuk njeh asnjë vendim të Kuvendit të Berishës ky i fundit bashkë me anëtarët e Komisioni të Rithemelimit të PD, mbërritën 2 ditë më parë në selinë blu ku ndryshe nga mbledhjet e mëparshme, këtë herë mbështetësve të ish-kryeministrit iu desh të shpërthejnë derën e sallës në të cilën u mbajt mbledhja.

Berisha paralajmëroi Bashën se nuk do të lejojë asnjë pengesë sipas tij për zbatimin e vendimit të anëtarësisë.  Pas deklaratave ku i bënte të qartë Bashës pozicionin e tij dhe vendimin e mbështetësve të tij për ta larguar nga zyra e kryetarit, Berisha u largua qetësisht nga selia e PD. Pak  pas largimit të  Berishës, Basha thirri një komunikim më gazetarët ku tha se PD i ka të gjitha mundësitë dhe mjetet për të mbrojtur selinë. Basha denoncoi me emër edhe personin që theu derën e sallës ku hyri Berisha, duke theksuar se kanë bërë kallëzim penal për të. Ai  e konsideroi Berishën një ish-deputeti PD duke e “zhveshur” nga çdo pozicion me PD. /abcnews.al


Shtuar 23.12.2021 09:57