Ia kaloi me shifra Berishës, Basha lexon sot emrat e 5 mijë e 4 delegatëve

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pritet të bëjë sot publikë emrat e 5 mijë e 4 delegatëve që sipas tij mbushën një ditë më parë Pallatin e Kongreseve me thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Fakti që salla e Pallatit të Kongreseve ka vetëm 2 mijë e 100 ulëse hapi polemike.

Kryetarja e Komiaionit Zgjedhor, Albana Vokshi, e cila udhëhoqi procesin e referendumit për shkarkimin e kryedemokratit Lulzim Basha tha se duhen vërtetuar shifrat pasi salla e Pallatit të Kongreseve nuk ka ulëse për aq persona sa deklaroi Jemin Gjana, Kryetari i Komisionit Statutor.

“Kështu ka qenë, kështu do jetë edhe nesër, siç u bë e ditur nga Sekretariati, identiteti i 5004 zonjave dhe zotërinjve. Nesër para çdo shqiptari do të hidhet poshtë çdo trillim, duke bërë transparent emrat e 5004 delegatëve që ishin të pranishëm,”- tha Basha para gazetarëve pasi mbajti dhe mbledhjen e Kryesisë së PD-së.

Ai u shpreh gjithashtu se demokratët tani do të përgatiten për daljen në terren me qëllim organizimin e partisë dhe përgatitjet për zgjedhje.

“Pavarësisht gjithçkaje, mirënjohje 5004 delegatë të pranishëm ishin për shkak të sakrificës shume të madhe të demokrateve. Përgatitje për shtrirje në terren në funksion të organizimit të partisë për zgjedhje,”- shtoi Basha. /albeu.com/


Shtuar 19.12.2021 08:27