Një fluturim i easyJet nga Islanda drejt Milanos u shoqërua me tension pasi në bord u zbulua se një pasagjer i dehur kishte me vete një thikë kuzhine.
Avioni ishte nisur nga aeroporti ndërkombëtar Keflavík i Islandës me destinacion aeroportin Malpensa të Milanos. Sipas mediave italiane, pasagjeri nisi të bërtiste, duke shqetësuar udhëtarët dhe ekuipazhin. Fakti që ai mbante një thikë në duar e rëndoi situatën.
Të lidhura
None found
Nuk ka të dhëna që pasagjeri të ketë tentuar ta përdorë thikën për të kërcënuar ose sulmuar ndonjë udhëtar apo pjesëtar të ekuipazhit.
Pak përpara uljes në Milano, pilotët njoftuan kontrollin e trafikut ajror për incidentin dhe kërkuan praninë e policisë në aeroport. Ekuipazhi e mbajti situatën nën kontroll gjatë fluturimit dhe avioni u ul pa probleme në Malpensa, ku e prisnin autoritetet italiane.
Nuk raportohet për të lënduar apo për ndërprerje të funksionimit të aeroportit. Në reagimin e saj, easyJet deklaroi se nuk i toleron sjellje të tilla në bord dhe se siguria e pasagjerëve dhe e ekuipazhit është përparësia e saj kryesore.
Ende nuk dihet si arriti pasagjeri të hipte në avion me një thikë.







