FAKTET/ Afera me Inceneratorët, si ikën nga Shqipëria dhe ku fshihen 2 bosët, Gugallja dhe Zoto (FOTO LAJM)

Bosi i incineratorëve në Shqipëri, Klodian Zoto, që tashmë është shpallur në kërkim nga prokuroria e Posaçme SPAK, rezulton të jetë larguar nga vendi në datën 1 dhjetor 2021.

Sipas verifikimeve të kryera, Klodian Zoto, rezulton të ketë lënë Shqipërinë për herë të fundit në datën 1 dhjetor.

Ka qenë ora 23:09 minuta, kur Zoto është paraqitur në aeroportin e Rinasit.

Pasi ka bërë chekinin në sportelin e policisë kufitare, bosi i incineratorëve ka përdorur linjën ajrore “Lufthansa”, duke fluturuar drejt Frankfurtit në Gjermani.

Ky është dhe destinacioni i fundit i tij, ndërsa nuk kuptohet më tej se ku ka vijuar udhëtimin Zoto, për t’ju fshehur ballafaqimit me drejtësinë shqiptare.

Zbulohet se jashtë territorit shqiptar është dhe pronarja tjetër e incineratorëve, Stela Gugallja.

Kjo e fundit në datën 1 tetor 2021 ka zbritur në orën 14:59 minuta në aeroportin e Rinasit, pasi kishte ardhur nga Vjena.

Por çuditërisht, pa u mbushur 24 orë qëndrim i saj në Shqipëri, sërish Stela Gugallja është larguar nga territori i vendit tonë, duke përdorur po Rinasin.

Sipas dosjes, Gugallja ka çekuar në orën 13:57, duke u larguar me linjën ajrore “Austrian Airlines” drejt Vjenës.

Ikja nga Shqipëria, e dy njerëzve kryesorë të biznesit të incineratorëve tregon qartë se ata kanë qenë në dijeni të plotë të veprimeve që kryenin prokurorët, hetime këto që rezultojnë të dekonspiruara.

Tashmë dy emrat e përfolur nuk mund të arrestohet nga Policia e Shtetit, ndërsa pritet që SPAK të kërkojë ndihmën e agjensive partnere për lokalizimin dhe arrestimin e këtyre dy personave.

Zbardhen detaje nga dosja penale që bën fjalë për aferën korruptive të incineratorit të Elbasanit, një investim ky 22 milion euro.

Sipas dosjes së SPAK, që tashmë një pjesë e saj është dorëzuar në Gjykatën e Posaçme, 8 kompanitë që rezultojnë përfituese të shumës prej 3.6 milion euro nga inceneratori i Elbasanit “Albtek Energy”, janë “Pivot 04”, “Sili”, “Bellar Inert”, “Deto”, “R.B. General Services”, “TGV&T-2014”, “J.P.V” dhe “SH.SH”.

Sipas dosjes së SPAK, një pjesë e këtyre kompanive, janë të rregjistruara në emër të shokëve të ngushtë të djalit të ish-ministrit Lefter Koka, Arbër Koka dhe pjesa tjetër në emër të njerëzve të besuar të Kokës.

Ndërsa për themelimin fillestar apo shitjen e këtyre kompanive, kanë “kontribuar” dhe dy noteret Rovena Jakova dhe Margena Çela.

Hetimi ka zbuluar se pranarët e këtyre kompanive janë 17 persona, të cilët rezultojnë miqtë e besuar të ish-ministrit Lefter Koka dhe djalit të tij, Arbër Koka.

“Disa nga këto kompani, janë krijuar në të njëjtën ditë, kanë të njëjtin objekt, dokumentet e tyre jane noterizuar tek i njëjti noter, madje kanë të njëjtin ekspert kontabël. Ato janë krijuar dhe pas një ose vetëm disa veprime financiare, e kanë pezulluar statusin e tyre aktiv. Këto kompani kanë të punësuar një ose dy punëtore dhe nuk e justifikojnë aspak vlerën e transaksionit apo transaksioneve financiare të kryera”-thuhet në dosjen e SPAK.

Ndërsa më tej në dosje flitet edhe për kompaninë koncesionare “Albtek Energy”, ku sqarohet se: “kapitali themeltar i kësaj shoqërie në fillim ishte vetëm 100.000 leke dhe numri i punonjësve të saj në momentin e paraqitjes së ofertës në datë 16 dhjetor 2014, ishte vetëm 2 persona”.

Pritet që ditën e nesërme në ambjentet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ish-ministri I Mjedisit Lefter Koka, të njihet me akuzat zyrtare dhe masën e sigurisë “arrest në burg”./Ora News/


Shtuar 15.12.2021 18:09