Lionel Scaloni ka gjetur akordin me Federatën Argjentinase të Futbollit (AFA) për të vazhduar punën si përzgjedhës i kombëtares së Argjentinës deri në përfundimin e Kupës së Botës 2030.
Afati i kontratës së tanishme të teknikut argjentinas përfundon në dhjetor të vitit 2026, çka kishte krijuar paqartësi mbi të ardhmen e tij në drejtimin e ekipit kombëtar.
Të lidhura
None found
Sidoqoftë, palët tashmë kanë rënë dakord për vijimin e bashkëpunimit, ndërsa mbetet vetëm nënshkrimi i marrëveshjes së re për ta zyrtarizuar atë.
Ky vazhdim i marrëveshjes pritet t’i sigurojë stabilitet stafit teknik të Argjentinës, teksa kampionët e botës përgatiten për sfidat e reja në arenën ndërkombëtare.
Që nga momenti kur mori drejtimin e kombëtares, Scaloni e ka çuar Argjentinën drejt një prej periudhave më të suksesshme në historinë e saj.
Nën drejtimin e tij, “Albiceleste” ka triumfuar në Kupën e Amerikës 2021, në Kupën e Botës 2022 dhe sërish në Kupën e Amerikës 2024.
Pasi çështjet kryesore të kontratës janë zgjidhur, Scaloni dhe AFA pritet ta vazhdojnë bashkëpunimin deri në Botërorin e vitit 2030.
Kjo do t’i japë Argjentinës mundësinë që të ruajë stabilitetin në ekipin teknik dhe të kërkojë të mbetet ndër kombëtaret më të forta të botës.






