Pamjet nga kampi i Njësive Speciale në Vrellë, Ramadani: Shkelje e rëndë e sigurisë, kërkohet hetim

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar pas publikimit të pamjeve të filmuara brenda kampit të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë, duke theksuar se askush nuk duhej të kishte mundësi të hynte apo të regjistronte në atë hapësirë.

“Në Youtube janë publikuar pamje që jo vetëm nuk duhej të xhiroheshin, por në asnjë rrethanë nuk duhej të ishin të qasshme për askënd. Nuk bëhet fjalë për një park publik, por për një objekt me rëndësi të veçantë për infrastrukturën kritike dhe sigurinë kombëtare të Kosovës”, deklaroi ai.

Të lidhura

None found

Ramadani shtoi se duhet të merret parasysh edhe mundësia që rasti të ketë qenë një testim armiqësor. “Nëse ka qenë një testim armiqësor, rezultati është i dukshëm. Siguria është cenuar dhe ky është një skandal shumë i madh, i cili kërkon hetim serioz”, u shpreh deputeti.

Sipas tij, mungesa e reagimit institucional në raste të tilla tregon edhe mungesën e një plani, ndërsa pa plan nuk mund të ketë rezultate.


Shtuar më 22.10.2026 12:31