Stuhia godet Shtetet e Bashkuara, së paku 50 të vdekur

Së paku 50 persona kanë vdekur më 11 dhjetor pasi një tornado e fuqishme goditi pjesën juglindore të shtetit amerikan, Kentaki, njoftoi guvernatori i shtetit, Andy Beshear.

Disa qarqe në Kentaki janë shkatërruar në masë të madhe, derisa tornadoja më e fuqishme që u regjistrua kohëve të fundit preku vendin.

“Druaj se ka më shumë se 50 të vdekur, ndoshta rreth 70 apo 100 persona. Kjo gjendje është shkatërruese”, shtoi Beasher duke thënë se kjo ishte tornadoja më e rëndë në historinë e shtetit.

Një numër i madh i të vdekurve sipas tij u regjistruan në një fabrikë qirinjsh pasi tornadoja shkatërroi çatinë e fabrikës.

Gjendje e jashtëzakonshme menjëherë u shpall në këtë shtet.

Përpos Kentakit, stuhia ka shkatërruar edhe një depo të kompanisë Amazon në shtetin Illinois të premten, thanë zyrtarët derisa besohet se janë rreth 100 punëtorë që ngecën nën rrënoja.

Ekipet e shpëtimit janë duke punuar edhe gjatë së shtunës në përpjekje për të shpëtuar punëtorët që ngecën në depo, derisa Qendra e emergjencës në shtet e përshkroi këtë si incident me shumë të vdekur.

Në një njoftim, dërguar mediave lokale, zëdhënësi i kompanisë Amazon, Richard Rocha tha se “siguria dhe mirëqenia e të gjithë punëtorëve dhe partnerëve është prioritet”.

Në Arkansas, një person ka vdekur dhe 20 të tjerë vlerësohet se kanë ngecur nën rrënoja pasi tornadoja shkatërroi një qendër për të moshuarit.

Edhe në Tenesi, së paku dy persona kanë vdekur në incidente që ndërlidheshin me stuhi, njoftoi Qendra emergjente./REL


Shtuar 11.12.2021 14:23