Gresë Krasniqi tregon se babai refuzoi kontrollin mjekësor në Hagë: Si t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre që e tradhtuan?

Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka vendosur të mos i nënshtrohet kontrollit nga mjekët e qendrës së paraburgimit në Hagë. Lajmin e bëri publik vajza e tij, Gresë Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, një muaj pas dënimit të tij me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara.

Ajo ka treguar se babai ia ka komunikuar këtë qëndrim gjatë një bisede telefonike.

Të lidhura

None found

“Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre”, i ka thënë Krasniqi së bijës.

Referenca e Jakup Krasniqit për gjashtë vitet lidhet me periudhën që prej arrestimit të tij. Ai u arrestua më 4 nëntor 2020, pas një operacioni që zgjati rreth 10 orë në shtëpinë e tij në Prishtinë, dhe që nga ajo kohë mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Gresë Krasniqi shprehet se vendimi i të atit e ka shqetësuar, veçanërisht pasi ai është në një moshë që kërkon kujdes të posaçëm shëndetësor. Megjithatë, ajo pranon se nuk ka mundësi ta detyrojë të heqë dorë nga ky qëndrim.

“Si njeri që i kam kaluar 30 vitet e jetës sime duke e njohur dashurinë dhe lirinë, a mund ta detyroj një njeri tjetër, i cili e ka kaluar gjithë jetën e tij me sakrifica dhe që, me këtë dënim të fundit, pritet të kalojë mbi 35 vjet në burgje, t’i përshtatet një sistemi që i ka sjellë vetëm vuajtje dhe padrejtësi?”, shkruan ajo.

Në përllogaritjen e saj, ajo përfshin edhe periudhën kur Jakup Krasniqi ishte i burgosur politik në ish-Jugosllavi. Ai u arrestua dhe më 4 prill 1981 u dënua me 14 vite burgim nga regjimi jugosllav. Pas rigjykimit, dënimi iu rrit në 15 vite, pasi kishte deklaruar se nuk ishte jugosllav, por shqiptar. Krasniqi vuajti 10 vjet, 3 muaj e 19 ditë burg dhe u lirua më 23 korrik 1991. Bashkë me dënimin 25-vjeçar të dhënë në Hagë, koha e tij e kaluar në burgje e tejkalon 35-vjeçarin.

“Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte?”, shton Gresë Krasniqi.

Ajo thotë se është ndier e pafuqishme përballë asaj që e përshkruan si “fuqi ndërkombëtare kaq të padrejtë”. Sipas saj, e vetmja gjë që mundi t’i thoshte të atit gjatë telefonatës ishte: “Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm.”

“Dënimi i Babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi!”, përfundon ajo.

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë shpalli më 16 shtator aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Veseli me 18, ndërsa Selimi me 13 vite, duke iu zbritur periudha e kaluar në paraburgim.

Jakup Krasniqi u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Të katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit. Mbrojtja e Krasniqit ka bërë të ditur se do ta apelojë aktgjykimin.


Shtuar më 22.10.2026 00:12