Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit Hilary Clinton, i ka dorëzuar kryeministri Edi Rama, në New York, çmimin “Vital Voices Global” në emër të Organizatës Vital Voices, për ndihmën që qeveria shqiptare ka dhënë në strehimin e afganëve.
“Kryeministri Rama u hapi dyert e Shqipërisë njerëzve nga Afganistani e, kryesisht, grave në nevojë dhe, falë udhëheqjes së tij dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare, më shumë sesa 1 000 të evakuuar afganë janë të sigurt në Shqipëri”, tha Clinton
Fjala e plotë e Clinton
Mirëmbrëma! Çfarë mbrëmjeje e jashtëzakonshme dhe frymëzuese solidariteti. Më kujtohet gjithë ato vite më parë kur filluam Vital Voices, kur shpresonim se do të bëhej rrjeti global që është sot dhe është kaq përmbushëse të dëgjosh historitë e njerëzve që nderohen sot. Billi, Roberto, Xhejms dhe Den, ju falënderoj secilin prej jush për atë që bëni, për udhëheqjen që ofroni ndërkohë që vazhdojmë të sigurohemi që zëri i çdo gruaje e vajze të të vlejë.
Gjatë muajve të fundit, jemi përballur me përvojën e pabesueshme të kthimit në Afganistan të një grupi burrash, të cilët duan ta kthejnë orën mbrapa për gratë dhe rolin e të drejtat e grave. Do të doja që ata të ishin njerëzit e vetëm sot në botë që duan të kthejnë kohën pas. Për fat të keq, ka shumë prej tyre, që janë jo vetëm pengesë për përparimin, por, më keq se kaq, janë instrumente të përpjekjes për të zhbërë përparimin e bërë. Ja pse na duhen më shumë se kurrë udhëheqës, aktivistë dhe, veçanërisht, duke iu përmbajtur temës së sotme, burra, burra të mirë Xhejms, burra të mirë që ngrihen, flasin dhe mbështetin të drejtat dhe rolet e grave. Kësisoj, është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t’ju prezantoj dikë të cilin e admiroj, të cilin kam patur privilegjin ta njoh, karrierën e të cilit e kam ndjekur me interes dhe admirim të madh, udhëheqja e të cilit është simbol i një misioni të përbashkët, atë të ngritjes së grave dhe vajzave. Tani, mjaft udhëheqës ndërkombëtarë nuk ishin të gatshëm të bënin shumë. Edhe kur iu kërkua, gjithnjë në rastin kur u përgjigjën pozitivisht, angazhimet që morën ishin shumë të vogla. Megjithatë, pati një numër të vogël – dhe, për fat të keq, kaq janë, një dorë e vogël – udhëheqësish, që u shprehën të gatshëm në një kohë nevoje të madhe. Në krye të kësaj liste është Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Rama kuptoi thuajse instinktivisht sa e rëndësishme ishte të shtrinte dorën, të thoshte “po”. Kështu, së bashku me Vital Voices, Institutin e Xhorxhtaunit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Gratë për Gratë dhe Nina’s List dhe shumë të tjerë, Kryeministri Rama u hapi dyert e Shqipërisë njerëzve nga Afganistani e, kryesisht, grave në nevojë dhe, falë udhëheqjes së tij dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare, më shumë sesa 1 000 të evakuuar afganë janë të sigurt në Shqipëri.
Kur e mora në telefon kryeministrin për ta falënderuar për këtë angazhim të jashtëzakonshëm, ai u përgjigj shumë natyrshëm “po çfarë tjetër duhet të kishim bërë”. Do doja të kishte më shumë udhëheqës me këtë lloj qasjeje. Por kjo nuk është e vetmja arsye që ai nderohet sonte. Pas rizgjedhjes së tij, në shtator, Kryeministri Rama shënoi një rekord historik duke emëruar numrin më të madh ndonjëherë në Shqipëri të grave në qeverinë e vendit. Mbi 70 për qind e ministrave të kabinetit të tij qeveritar janë gra dhe disa prej tyre gjenden këtu këtë mbrëmje – partnere të barabarta në përpjekjen për të formësuar vendin të cilit i shërbejnë. Ai vazhdon ta vendosë barazinë gjinore në qendër të agjendës së qeverisë së tij dhe të ngrejë zërin kundër dhunës gjinore dhe krah forcimit të pjesëmarrjes ekonomike të gruas shqiptare. Në një kohë kur në mbarë globin tonë të drejtat dhe siguria e grave janë në momente të vështira, angazhimi i Kryeministrit Rama për të çuar përpara mirëqenien, mundësitë në Shqipëri dhe për afganët e të tjerët duhet të na frymëzojë të gjithëve për të vepruar. Kësisoj, në emër të Vital Voices, kam nderin e madh t’jap Çmimin e Pionierit Global Kryeministrit Edi Rama.