Çmimet e kafesë dhe restoranteve kërcejnë dhe në tetor, rritja më e lartë në 6 vjet

Të shkosh në një bar, apo restorant po bëhet çdo muaj e më e shtrenjtë.

INSTAT raportoi se rritja e çmimeve në këto dy ambiente mjaft të frekuentuara nga shqiptarët (sidomos baret) ka vijuar edhe në muajin tetor.

Sipas INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që mat ndryshimin vjetor, për kategorinë e Kafe – restorante (catering), ishte 1.9% në tetor. Kjo është rritja më e lartë vjetore e çmimeve që prej fundit të vitit 2014.

Shtrenjtimi i kostos së kafesë së importuar dhe i sheqerit është arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë tendencë. Prodhuesi më i madh në botë i kafesë, Brazili, është goditur me një nga thatësirat më të këqija të vendit në gati një shekull, sipas “Wall Street Journal” dhe kjo ka reflektuar çmimin e kafesë kudo në botë. Gjithashtu, thatësirat kanë ndikuar edhe në prodhim më të ulët të grurit dhe si pasojë, çmimi i tij në bursë është rritur. Tashmë, globalisht çmimet e produkteve të grurit si mielli, buka, pastat janë në rritje.

Edhe rritja e produkteve të tjera ushqimore po ndikon në çmime më të larta për ushqimet që serviren në restorante. Orizi, makaronat, vaji, të gjitha kushtojnë më shtrenjtë.

Sipas një vëzhgimi të mëparshëm të Monitor, në kryeqytet, çmimi i kafesë në bare është rritur mesatarisht me 10 apo 20 lekë, psh nga 70 në 80 apo 90 lekë, apo në 100 lekë (nga 80 apo 90 lekë më parë..

Enri Jahaj, i cili Drejton Shoqatën e Bareve dhe Restoranteve, tha se çmimi i kafesë në bare dhe restorante ka vend për rritje të mëtejshme, pasi sipas tij, Shqipëria ka nivelet më të ulëta të produktit në rajon. Ai tha se aktualisht në rajon, 1 kafe në bare kushton minimumi 1 euro, prandaj edhe në Shqipëri çmimi do të shkojë drejt këtij standardi. Jahaj pohon se kafeja është një produkt tërësisht importi, ndaj rritja e çmimeve në tregjet e huaja reflektohet menjëherë edhe në tregjet vendase./Monitor


Shtuar 10.11.2021 08:03

Tags: ,