Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë identifikuar identitetin e dy personave të cilët dyshohen se mbrëmë pas mesnate kanë sulmuar me thikë një 26-vjeçar, ku ky i fundit pas lëndimeve të marra ka vdekur në QKUK.
Përmes një njoftimi nga Policia, thuhet se rasti ka ndodhur në rrugën “Artim Jashari” në Mitrovicë.
“Rreth orës 00:15, të datës 30 tetor 2021, policia në Mitrovicë, ka pranuar informacion se në rrugën ‘Artim Jashari’ pas një zënke-mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht viktima: A .M. 26 vjeçar, lëndimet dyshohet të i jenë shkaktuar me një mjet të mprehtë (thikë) nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë”.
“Viktima pas pranimit të ndihmës së parë në Spitalin Rajonal në Mitrovicë është transportuar në QKUK- ku si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, nga veprimet të deritanishme hetimore, hetuesit policor kanë identifikuar identitetin e dy personave të dyshuar të cilët mbesin në kërkim policor.
“Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të kapjes së të dyshuarve dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale Vrasje”, thuhet më tej në njoftimin e PK-së.