Në “Arena Egnatnia”, Kukësi bën një ndeshje perfekte duke mposhtur 2-0 Vllazninë një një përballje shumë emocionuese me raste dhe supergola.
Skuadra e Longos u tregua më efikase për të gjetur rrjetën pasi edhe Vllaznia kishte raste shumë të mira por kuqeblutë ishin në një ditë jo të mirë.
Vllaznia e nisi ndeshjen me një presing shumë lart në fushën e Kukësit dhe për shumë minuta dominuan ndeshjen dhe me Aralicën e Da Silvan ishin pranë shënimit.
Në momentin më të mirë për ekipin e Brdariç, Kukësi shokon kundërshtarin kur Shqipërim Taipi shënon me një predhë nga 35 metra golin e avantazhit.
Goli duket sikur u pret krahët shkodranëve që nuk reagojnë dot madje edhe në pjesën e dytë janë në vështirësi duke mos qenë shumë konkret.
Kukësi kontrollon lojën edhe pse Tafas në 76’ rrezikon shumë nga një dalje e pastudiuar që mund të ndëshkonte skuadrën e Longos por në 82’ ata që shënojnë janë sërish verilindorët.
Në një krosim nga e djathta pa shumë pretendime, Edison Ndreca lëshon një goditje me topin që përplaset në tokë e më pas kalon mbi Zogoviç për të dyfishuar rezultatin, rezultat që nuk ndryshon më dhe me Kukësin që merr kështu 3 pikë të arta në një duel të fortë me Vllazninë. Për këta të fundit ishte humbja e parë që në fakt vetëm sa konfirmon se kampionati është tejet i ekuilibruar.