Facebook po planifikon të ndryshojë emrin, si mund të quhet gjiganti i mediave sociale

Gjiganti i mediave sociale Facebook po planifikon të riemërtojë kompaninë me një emër të ri javën e ardhshme, raporton Verge, duke cituar një burim që ka njohuri të drejtpërdrejta për çështjen.

Drejtori ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg, planifikon të flasë për ndryshimin e emrit në konferencën vjetore të kompanisë në 28 tetor, por mund të zbulohet më shpejt, thuhet në raportin e Verge.

Ndryshimi në kompani ka të ngjarë të pozicionojë aplikacionin e rrjeteve sociale si një nga shumë produktet e një kompanie mëmë, e cila gjithashtu do të mbikëqyrë aplikacione si Instagram, WhatsApp, Oculus dhe më shumë, shton raporti.

Një zëdhënës i Facebook tha për Guardian se kompania “nuk komenton thashethemet apo spekulimet”.

Spekulimet për ndryshimine e emrit vijnë në një kohë kur Facebook po përvallet me kritika, sidomos për faktin që ka vendosur “fitimet astronomike” para njerëzve dhe ka injoruar raportet mbi rrezikun e rrjeteve sociale për adoleshentët.

Ndryshimi për emrin mund të lidhet me ribrandimin – procesi i ndryshimit të emrit, imazheve, simboleve dhe/ose dizajnit të një marke për të krijuar një identitet të ri. Facebook ka njoftuar më parë se do të krijojë disa produkte për të punuar posaçërisht në projekte të lidhura me metaverse (një version i realitetin virtual).

Në vitet e ardhshme, Facebook pret që njerëzit të mos e shohin më si një kompani të rrjeteve sociale, por si një kompani metaverse. Me shumë gjasë, ndryshimi i emrit do të lidhet pikërisht me planet e kompanisë për këto produkte dhe shërbime.

Raporti Verge tha se një emër i mundshëm për kompaninë mund të ketë të bëjë me Horizon. Kohët e fundit, Facebook riemërtoi platformën e tij të lojërave VR në zhvillim të quajtur “Horizon”, në “Horizon Worlds”.


Shtuar 20.10.2021 11:55