Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dhënë mesazhe të qarta bashkimi mes dy popujve tanë.
Komentet ai i ka bërë nga Shkodra, nga ku ka ndjekur ndeshjen e basketbollit për meshkuj mes Vllaznisë dhe Prishtinës.
Sipas Kurtit, populli është një hap përpara politikës dhe politikanët sipas tij duhet t’i binden vullnetit të qytetarëve.
“Populli është para politikes kështu që ne politikanët le të ndjekim vullnetin e popullit”, tha Kurti.
Në Shkodër ishte e pranishme edhe kryebashkiakja Voltana Ademi, ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe kryetarja e grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Për Kurtin kjo ndeshje është më shumë se lojë.
“Është kënaqësi që jam në Shkodër. Kjo që po shohim mes Vllaznisë dhe Prishtinës është më pak se ndeshje më shumë se lojë”, tha Kurti.
Kryeministri ka refuzuar të flasë për zgjedhjet lokale në Kosovë duke argumentuar se është heshtje zgjedhore.
“Sot është heshtje zgjedhore, nesër flasin qytetarët”, u shpreh ai./albeu.com