Viti 2021 ktheu këndvështrimin për ndryshimet klimatike nga një term abstrakt, që cilësohej si “mashtrim” apo “shaka”, në një alarm të kuq të shpallur për herë të parë nga Kombet e Bashkuara. Shqipëria, e vetëcilësuar një “aktor” pa rol, duket se ende nuk e sheh veten të kërcënuar për aq kohë sa në nivel politikash ka një angazhim inekzistent.
Por këto ndryshime prej vitesh po rëndojnë mbi supet e shqiptarëve që përmbyten çdo vit, me zjarre që përpijnë qetësisht hektarë të tërë pyjesh, thatësira të gjata e stuhi të forta. Tani ndryshimet klimatike po “kërcënojnë” tryezën e ushqimit. Rritja e çmimit të bukës, kafesë është vetëm fillimi.
Ekspertët vlerësojnë se bujqësia, blegtoria, peshkimi, turizmi e shumë të tjerë do të vuajnë pasojat e ndryshimeve. Të dhënat zyrtare nga IGJEO tregojnë për rritje të temperaturës mesatare vjetore dhe më pak reshje, teksa mikroklima është “zhdukur”. Mbrojtja civile në raste fatkeqësish natyrore gjithmonë në rritje, mbetet ende e pakonsoliduar
Nga Nertila Maho
Ishte dukur pak e largët dhe abstrakte ideja se ndryshimet klimatike mund të preknin direkt xhepin e më tej, të rrezikonin edhe jetën. Për dekada me radhë, kjo temë rrotullohej në tavolina konventash, kongresesh, senatesh ndërkombëtare. Por viti 2021 shënoi pikën e kthesës kur alarmi i kuq u ngrit njëzëri në të gjithë botën nga një raport i Kombeve të Bashkuara.
Në njërën anë, ishte një botë që shkrumbohej nën pushtetin e zjarrit dhe në tjetrën, një botë që po përjetonte ulje dramatike anormale temperaturash. Shkrirja e akullnajave në Groenlandë, Arktik dhe Antarktidë ndoshta nuk mund të na shqetësojë dhe aq shumë këtu në Shqipëri, por ndryshimet e klimës janë shumë më shumë sesa kaq dhe ato kanë nisur të ndihen në tryezën e ushqimit të secilit prej nesh.
Ka nisur nga buka, kafeja, vaji e një sërë produktesh që po shtrenjtohen dhe sot, si shkak nga importuesit, lakohen ndryshimet klimatike. Prekja e zinxhirit ushqimor dhe rreziqet në horizont nga ndryshimet klimatike po rriten dhe Shqipëria nuk është një vend imun, përkundrazi është tek më të rrezikuarit. Ndaj nuk është kurrë vonë për reflektim, sado të vogla të jenë përmirësimet.
Rriten temperaturat mesatare vjetore, më pak reshje dhe dëborë
Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), si i vetmi i këtij dimensioni në vend, i cili monitoron treguesit që lidhen me ndryshimet klimatike, pranon se efektet po ndihen edhe në Shqipëri. Sipas IGJEO, kjo duket në disa aspekte nga rritja e temperaturës mesatare vjetore te reshjet e shiut apo borës. “Temperatura mesatare vjetore është rritur, sidomos në 10 vitet e fundit. E njëjta gjë vërehet edhe te temperaturat minimale dhe maksimale vjetore që kanë tendencë rritje, sidomos në 10 vitet e fundit.
Sasia e reshjeve është zvogëluar me rreth 10-15%, ndërsa intensiteti i reshjeve është shtuar. Kemi sasi më të mëdha reshjesh në një kohë më të shkurtër. Gjithashtu duhet përmendur fakti që kemi më pak reshje në formë bore, edhe në sasi dhe në shpërndarje” konfirmoi ky institut për “Monitor”.
Rritja e intensitetit të reshjeve është një nga arsyet se pse përmbytjet janë një nga fatkeqësitë natyrore me të cilat vendi ynë është përballur dhe do të përballet më shpesh. Instituti i Gjeoshkencave vlerëson se fenomenet nga të cilat kërcënohet vendi ynë, edhe pse nuk janë të dimensioneve të mëdha si uragane apo tornado, janë gjithashtu të dëmshëm.
“Shqipëria, nga shtrirja fiziko-gjeografike, është e mbrojtur nga uraganet, sepse duke qenë se ne lagemi nga dete të mbyllur nuk rrezikojmë nga fenomene të tilla. Fenomene që ne rrezikojmë nga deti janë erozioni bregdetar dhe përmbytjet nga deti” – nënvizon IGJEO. Në një publikim të Bankës Botërore mbi profilin e rrezikut të kimës të Shqipërisë, thuhet se vendi ynë ka përjetuar një rritje të temperaturës mesatare vjetore prej 1 ° C që nga vitet 1960.
Bujqësisë i rriten kostot, ulet prodhueshmëria, më shumë importe
Ndryshimet klimatike pritet të ndikojnë një sërë sektorësh, ku një prej tyre dhe ndër më të rëndësishmit është bujqësia. Agim Rrapaj, nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, shprehet se toka dhe uji, dy nga pasuritë bazë që mund të ketë një vend, po vuajnë si efektet e ndryshimeve klimatike ashtu edhe politikat e gabuara.
“Nëse i shohim me kujdes, ndryshimet klimatike kanë ndikuar te toka, sidomos në lidhje me erozionin. Për shkak të mungesës së masave për parandalimin e këtij fenomeni, shpesh është hequr dorë nga investime të caktuara. Erozioni heq pjesën më produktive të tokës dhe e çon atë në det” shprehet Rrapaj. Mungesa edhe e investimeve për të rritur aksesin në ujë për tokat bujqësore, apo braktisja dhe lënia djerrë ka ndikuar negativisht në prodhimin bujqësor në vend.
Efektet janë të dukshme, pasi sot ka më pak kultivarë, ka kosto të rritura për prodhimin dhe ulja e rendimentit apo prodhueshmërisë është evidente. Në fund, ajo që po ndodh me Shqipërinë është orientimi drejt importit, që do të thotë se atë çka konsumojmë gjithmonë e më shumë do ta marrim nga të tjerët.
“Ndryshimet klimatike ndikojnë tek ulja e prodhimit për njësi të sipërfaqes. Është ulur rendimenti, janë rritur kostot dhe reduktuar kultivarët të cilët ndikojnë ndjeshëm tek mekanizimi. Ne kemi kapacitete në blegtori që të furnizojmë me të gjithë asortimentet jo vetëm tregun vendas por edhe më gjerë. Fakti është që sot importojmë 200 milionë euro në vit produkte ushqimore të këtij grupi.
Kjo shifër e lartë vjen si rezultat i uljes së prodhimit dhe mbjelljes së kultivarëve në tokat tona që nuk janë më ato që kanë qenë nga pikëpamja e prodhueshmërisë. Po të shohësh në zonën e Korçës ka nisur një përmbytje në zonën e Maliqit, kemi një fenomen që quhet ‘moçalizim’, ku tokat produktive kthehen në moçal për shkak të mungesës së kullimit” – pohon Rrapaj.
Ai nënvizon se Shqipëria është ende në kohë për të bërë kthesë në një sektor të rëndësishëm siç është bujqësia dhe blegtoria. Kjo mund të arrihet me investime më serioze në funksion të ujitjes, dhënies së certifikatave të pronësisë ku mund të nxitet kultivimi në tokat e lëna djerrë. Sot gjithashtu ka nevojë të ringrihet Instituti i Tokës dhe të bëhet një studim i mirëfilltë për situatën e përgjithshme që ka toka, pasi askush nuk e di sesi ka ndryshuar gjendja në dy dekadat e fundit./monitor