Ceferin kundër zhvillimit të Botërorit çdo dy vjet, i çon mezazh FIFA-s

FIFA ka hedhur idenë e një Kampionati Botëror të organizuar çdo dy vite, por ndonëse nuk ka ende një projekt zyrtar, kreu i UEFA-s, Aleksander Ceferin nuk ngurroi të shfaqë menjëherë pozicionimin e tij kundër këtij propozimi që për momentin është vetëm në nivel mediatik.

Sipas kreut të qeverisë europiane të futbollit, magjia e këtij kompeticioni do të humbte, nëse do të organizohej çdo dy vite dhe për më tepër, një turne një mujor çdo verë do të ishte masakrues edhe për futbollistët.

“Për momentin nuk kam asnjë letër zyrtare në lidhje me këtë projekt dhe kam dëgjuar gjithçka nga mediat, megjithatë kjo nuk më pengon të shfaq që tani mendimin tim kundër. Magjia e këtij kompeticioni është pikërisht se organizohet një herë në katër vite dhe njerëzit e presin me padurim ashtu si Lojërat Olimpike.

Një turne një mujor me frekuencë të tillë do të ishte masakrues edhe për futbollistët. Mesa di unë,edhe në Amerikën e Jugut nuk e duan diçka të tillë, ndaj ne jemi gati të heqim dorë nga një kompeticion i tillë”, deklaroi kreu i UEFA-s.


Shtuar 10.09.2021 11:54