Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar sot për media në lidhje me situatën politike në vend. Ajo ka thënë se LDK ende është e interesuar që në një periudhë të shkurtër të bëhet marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Jemi të interesuar që në një periudhë të shkurtër të bëhet marrëveshja. Duhet të shfrytëzohet koha e mbetur dhe ne jemi të interesuar që t’i kthehemi tavolinës së bisedimeve”, ka thënë ajo, transmeton IndeksOnline.
Të lidhura
None found
Osmani pavarësisht shpresës që do të arrihet koalicioni, thotë se propozimet e LDK-së janë korrekte dhe synim kanë tejkalimin e ngërçit politik.
E pyetur për vizitat e shpeshta të ambasadorëve të huaj në zyrat e LDK-së ajo thotë se ato janë krejtësisht normale dhe nuk janë trysni ndaj askujt, por janë takime të zakonshme.
“Ambasadorët e huaj po informohen nga ne për zhvillimet në parti. Natyrisht qe japin rekomandime, por në asnjë moment nuk bëjnë trysni. Shtëpia nuk mund të mbahet pa miq. I mirëpresim vizitat e miqve dhe ato nuk i shohim si trysni”, ka deklaruar ajo.
Sipas Osmanit, në LDK ka vullnet të plotë për marrëveshje dhe se nuk është koha për skenarë tjera.
“Çështjet e tilla duhet të diskutohen dhe të propozohen në tavolinën e negociatave. Është e nevojshme të kemi respekt të ndërsjellët”, ka thënë ajo.
