Arsenali tani ka konkurrencë nga Milani në garën për transferimin e mbrojtësit të palumtur në Bayern Munich, Jerome Boateng, gjatë këtij muaji.
Qendërmbrojtësi gjerman dëshiron të largohet nga kampioni në fuqi i Bundesligës gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi nuk ka arritur ta zë një vend në formacionin e parë këtë sezon.
Milani është në kërkim për ta përforcuar vijën e mbrojtjes dhe për këtë arsye kuqezinjtë janë afër edhe arritjes së një marrëveshje për transferimin e Simon Kjaer nga Seville.
Por, sipas Sky Sports, gjiganti italian nuk do të ndalet me Kjaer dhe do të tentojë t’i sigurojë shërbimet e Boatengut, pasi që ky i fundit mund të luajë edhe si mbrojtës anësor, në të dy krahët.
Kjo bën që Arsenali ta ketë më të vështirë ta sigurojë transferimin e Boatengut, përkundër që trajneri Mikel Arteta ua ka bërë të qartë drejtuesve se dëshiron përforcime në mbrojtje.
Bayerni është i gatshëm ta shesë gjermanin gjatë këtij muaji, mirëpo i kërkon 12.8 milionë funte për të.