Alarm te Barcelona, Suarez drejt operimit

Barcelona ka marrë një tjetër lajm të keq pas humbjes së gjysmëfinales kundër Atletico Madridit me rezultatin 2-3 në Arabi.

Luis Suarez ka ndjerë sërish probleme me gjurin e tij dhe Sport bën me dije se nesër do të ketë vizitat mjekësore me doktorin Ramon Cugat.

Lojtari ka ndjerë sërish dhimbje në gjurin e tij të djathtë dhe po vuan prej disa javësh. Ai ka luajtur me probleme dhe ka vendosur të ndalet, pasi nuk e duron më një situatë të tillë.

Doktori do të vendosë nëse Suarez duhet të operohet apo do të vazhdojë me riaftësimin e tij pa pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Gjasat janë që uruguiani të detyrohet të ndalet.


Shtuar 10.01.2020 20:48