Rama kritikon BE përpara italianëve: Ky zjarr nuk do të djegë veç Italinë!

Gjatë në interviste për mediat italiane, kryeministri Edi Rama ka kritikuar Bashkimin Europian për qasjen që po ndjek lidhur me përballjen e koronavirusit.

Rama tha se Europa është mbyllur në llogoren e vet, duke u mbrojtur secili për vete, por në gjykimin e tij kjo qasje nuk të çon askund.

Si vendi me numrin më të madh të viktimave në botë nga pandemia e COVID 19, Rama thotë se Italia kurrsesi nuk duhet lënë vetëm në këtë betejë dhe se është iluzion të mendosh që ai zjarr do të djegë vetëm Italinë.

“Besoj se fjala shpagim nuk është fjala e duhur, pasi ne nuk mund të shpagojmë kurrë atë që Italia dhe italianët kanë bërë për ne në kohë të errëta.

Nuk është shpagim, por thjeshtë të bëjmë detyrën tonë si pjesëtarët e një familjeje që është e jona , e kur them familja jonë mendoj familjen italiane, ku shumë shqiptare e shumë shqiptarë janë pjesë perberese.

Dhe nga ana tjeter besoj se kjo është një luftë, qe nuk mund të luftohet duke u mbyllur secili në llogoren e vet me kurrizin e kthyer nga njëri-tjetri, sepse kështu do e humbasim. Armiku i padukshëm na ka sulmuar të gjithëve në të njëjtin moment, duhet që jo vetëm të mbrohemi, por edhe të kundërsulmojmë.

Kjo është diçka që mbi të gjitha Europa duhet ta bëjë, sepse ndryshe s’mundet. Dhe atje ka një vatër zjarri tronditëse, që s’mund ta lëmë vetëm Italinë. Italia po lufton, por duhet të luftojmë të gjithë bashke!

Dhe atje ka një situatë të paparë që s’mund t’ia lëmë vetëm Italisë ta trajtoje sepse është iluzion të mendosh që ai zjarr do të djegë vetëm Italinë”- tha Rama.

Sa i takon dërgimit të ekipit prej 30 mjekësh dhe infermierësh shqiptarë, shefi i qeverisë thotë se shqiptarët dhanë një kontribut sado të vogël për atë që e konsiderojnë shtëpinë e tyre.

“Une e them sepse e besoj, ne të gjithë e besojmë, se Italia është shtëpia jonë dhe ta shohim Italinë që lufton një luftë kaq të ashpër, e pastaj ta lëmë të vetmuar ndjehemi keq, shumë keq. Sigurisht ne nuk do të ndërrojmë fatin e luftës me 30 mjekë dhe infermierë, por beme diçka krejt te natyrshme, sepse jemi duke luftuar këtu, por të luftosh në Itali per ne është megjithatë si te luftojme në shtëpinë tonë”- u përgjigj Rama.


Shtuar 30.03.2020 16:21