”Karrierën mund ta mbyll në Cardiff”, Ramsey flet për Ronaldon: Lojtar i jashtëzakonshëm

Mesfushori Aaron Ramsey ka thënë se Cristiano Ronaldo e ndihmoi atë të vendoset te Juventusi dhe zbuloi se ai mund të përfundojë karrierën e tij në Cardiff.

Ylli uellsian u transferua nga Arsenali në Juventus verën e kaluar dhe në një kyçje ‘live’ në Instagram, ai u tha ndjekësve të tij se Ronaldo e ndihmoi atë të rehatohet në Torino.

“Përveçse është një lojtar i jashtëzakonshëm, Cristiano është gjithashtu një person shumë i mirë, një nga më të mirët në historinë e futbollit”, ka thënë fillimisht Ramsey.

“Kur e pashë në seancën e parë të stërvitjes, shkova në mensë dhe ai më kërkoi që të ulem me të”.

“Ne folëm shumë dhe kjo më kënaqi sepse menjëherë më bëri të ndihem i qetë. Cristiano është një person i mrekullueshëm. Ai i do shokët e tij të skuadrës dhe gjithmonë jep më të mirën në stërvitje”.

29-vjeçari u transferua nga Cardiff në Arsenal në korrik të vitit 2008 dhe nuk përjashton rikthimin për të përfunduar karrierën me ekipin nga Uellsi.

“Falë tyre, u bëra një futbollist profesionist. Kështu që, një ditë mund të kthehem përsëri”, përfundoi mesfushori.


Shtuar 24.04.2020 11:33