UEFA sot ka bërë prapakthehu duke kaluar nga kërcënimet me përjashtime nga Europa të kampionateve që nuk përfundonin në fushë, te “udhëzuesi” për kualifikimin e klubeve në aktivitetet ndërkombëtare nëse bëhet e pamundur të vazhdohet të luhet për këtë edicion. UEFA ka bërë të qartë se kriteri sportiv do të jetë parësor sipas saj, por ajo gjithsesi ka theksuar në vendimin e sotëm të Ekzekutivit se rezervonte të drejtën që të mos pranonte skuadra të caktuara nëse ndodhte e kundërta dhe kampionati nuk mbyllej në fushë.
“UEFA rezervon të drejtën për të refuzuar apo të vlerësojë pranimin e çdo klubi të propozuar nga një Federatë Kombëtare nga një kampionat kombëtar i mbyllur në mënyrë të parakohshme në veçanti nëse:
-Kompeticionet kombëtare nuk janë përfunduar si rrjedhojë e arsyeve të dhëna në këto udhëzime të UEFA-s apo mbi bazën e arsyeve të tjera të ligjshme për të ruajtur shëndetin publik.
-Klubet u zgjodhën nëpërmjet një procedure që nuk është objektive, transparente dhe jodiskriminuese, në mënyrë që klubet e zgjedhura të mos konsideroheshin të kualifikuara nga merita sportive.
-Ka një përceptim publik të një padrejtësie në kualifikimin e klubit”, shkruhet në argumentimin e UEFA-s.
Pika e fundit është shumë e çuditshme dhe duket shumë arbitrare. Me pak fjalë, UEFA rezervon të drejtën që të mos lejojë një klub të marrë pjesë në aktivitetet e saj thjesht nga mënyra se si e sheh opinioni publik. Nëse një numër i madh tifozësh për shembull do të cilësonte të padrejtë kualifikimin e një skuadre në vend të një tjetre, atëherë UEFA mund të ndërhyrjë dhe të mos pranojë emrin që i është propozuar nga Federata. Një klauzolë e cila në njëfarë mënyre i jep të drejtën e vetos rreth disa ekipeve në kampionatet që nuk do të mbyllen në fushën e lojës.