Dalja a pakontrolluar e qytetarëve dhe mosrespketimi i masave të vendosura nga autoritetet shëndetësore në Kosovë ka rezultuar me rritje të numrit të infektuarve me sëmundjen Covid-19, vlerësojnë zyrtarë shëndetësorë në Kosovë.
Me 79 raste të reja, Kosova ka regjistruar të dielën rekord të rasteve me koronavirusin e ri që prej se rastet e para u shfaqën në vend.
Më këto shifra, numri total i të infektuarve në Kosovë shkon në 362.
Lidhur më rritjen e numrit të rasteve, zyrtarë të Ministrisë se Shëndetësisë thanë se “secila pandemi e ka fillimin e saj, zhvillimin dhe rënien. Kosova është në fazën e zhvillimit të saj dhe është e pritshme që në këtë fazë të ketë numër më të madh të rasteve pozitive”.
Pavarësisht kësaj, ata kërkojnë përgjegjësi të shtuar nga qytetarët, siç thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, “është për keqardhje se dikush ende nuk e ka kuptuar seriozitetin e sëmundjes Covid-19 dhe rrezikun që vendos për jetën e vetë dhe të tjerëve”.
Rritja e numrit të rasteve të të infektuarve një ditë më parë sipas infektologut Valbon Krasniqi është për shkak të ecurisë apo natyrës së pandemisë, por edhe nga mosrespektimi i masave nga qytetarët e vendit.
Krasniqi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se tashmë Kosova është në fazën kur pret numër më të madh të rasteve.
“Edhe ne si Kosovë kemi hyrë në javën e pestë të epidemisë, sot saktësisht një muaj meqë më 13 mars janë konfirmuar rastet e para. Tashmë ne jemi në periudhën kur presim numër më të madh të rasteve dhe normalisht se kësaj i kontribuojnë edhe sjelljet e qytetarëve, pra mosrespektimi sa duhet i masave dhe i rekomandimeve që janë dhënë gjatë tërë kohës nga ana e institucioneve shëndetësore, por edhe nga ana jonë si mjekë”.