“Ai nuk është i pari që arrin në një klub me një entuziazëm të madh dhe nuk jep fryt. Kjo ndodh në shumë ekipe dhe me shumë lojtarë”, kjo deklaratë e Quique Setién ka ngjallur reagime.
Pasi reagoi nëna e Arthur Melo, duket se edhe vet futbollisti nuk u nda i kënqur me ato që tha trajneri i tij, si një mesazh se braziliani do të largohet nga Barcelona.
Arthur është i zhgënjyer sepse pas deklaratës së Setien, kuptohet se në Barcelonë, edhe pse e kanë konsideruar ‘Xavi i ri’, kanë nisur të dyshojnë në aftësitë e 23-vjecarit.
Ata u panë në stërvitje para ndeshjes me Celta Vigon duke diskutuar mes vete.
JUGONES raportoi të enjten se Juve dhe Barca kanë arritur tashmë marrëveshje për shkëmbimin e futbollistëve, Arthur Melo-Miralem Pjanic.
Arthur, që dikur edhe nga vet Lionel Messi shihej si pasardhësi i Xavi Hernandez, nuk deshi të largohet, por pas takimit me Abidalin, drejtorin sportiv dhe të tjerë, ku mësoi më shumë për idenë e tyre dhe pas takimit të përfaqësuesve të futbollistit me ata të Juventusit, ndërroi mendje dhe pranoi ofertën 7 milionëshe të Zonjës së Vjetër.
Pra ai do të fitojë më shumë se dyfishin që fiton në Barcelonë (3 milionë).
Zyrtarizimi ende nuk ka ardhur, por është çështje ditësh, pasi tashmë duket gjithçka e kryer.
