Napoli duket se ka gjetur formën e duhur pas ndalesës për shkak të pandemisë. Pas lojës së bukur ndaj Juventusit dhe fitmit të Kupës së Italisë, skuadra e Elseid Hysajt ka mundur “të korrë” një tjetër fitore, kësaj here ndaj Veronës.
Të kaltrit kanë fituar me rezultat të pastër 0-2 ndaj skuadrës së Kumbullës e Rrahmanit.
“Derbi” mes shqiptarëve është fituar nga Hysaj falë golave të Milik e Lozanos. Polaku hapi sfidën në minutën e 38, duke shënuar dhe “i liruar” rrugën e fitores skuadrës së tij. Më tej sfida vijoi e barabartë me Veronën, që pati rastet e saj për të barazuar, ku përmendim një gol të anuluar të Faraonit për prekje të sferës me dorë.
Barazimi nuk erdhi dhe ishte Napoli, që shënoi sërish dhe mbylli ndeshjen. Në minuëtën e fundit të kohës së rregullt meksikani Lozano shënoi golin e dytë, për të vulosur ndeshjen në 0-2. Hysaj e nisi nga minuta e parë këtë ndeshje, duke u aktivizuar në krahun e majtë nga Gatuzo dhe u zëvendësuar në minutën e 67.
Minuta të plota për dyshen e zakonshme të Veronës, Rrahmani-Kumbulla. Në të njëjtën orë luajti edhe SPAL, që u mund nga Kaljari me një gol në minutat e fundit të takimit. Berisha nuk ishte i pranishëm në këtë ndeshje për shkak të dëmtimit në dorë të pësuar në stërvitje.
