Deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari ka rikthyer vëmendjen tek Reforma Zgjedhore duke u shprehur se listat do të hapen 100%. Hajdari ka nisur komunikimin me ndjekësit në rrjetin social Instagram duke thënë se po përgatit një projekt të ri politik që mendohet të jetë një parti, të cilën e cilëson si “ajka e qytetarisë”.
“Beteja për hapjen e listave u fitua falë mbështetjes së shumicës absolute të shqiptarëve. Jam e bindur se do i hapim 100%. Uroj që të njëjtën mbështetje ta ketë edhe për projektin e ri politik, i cili do të synojë bashkimin e tyre, që duan punën e ndershme dhe e shohin të ardhmen në këtë vend, kundër atyre pak të pangopurve që kanë 30 vite që majmen në kurriz të djersës së shqiptarit të ndershëm.
Jam e bindur se projekti i ri politik që po përgatisim me ajkën e qytetarisë do të bashkojë së pari rininë studentore e cila ka qenë gjithnjë në krye të ndryshimit“, shkroi Hajdari.