Trajneri i Barcelonës, Quique Setien, e ka pranuar se VAR-i e bëri dallimin në ndeshjen mes skuadrës së tij dhe Real Sociedadit, në të cilën triumfuan katalonasit me rezultat 1:0 në Camp Nou.
Barcelona iu kthye fitoreve në La Liga duke e mposhtur me rezultat 1:0 Real Sociedadin në Camp Nou, pas disfatës së xhiros së kaluar kundër Real Madridit. Penalltia e shënuar nga Lionel Messi ia dha Barcelonës jo vetëm tre pikët e kësaj ndeshjeje, por edhe kreun e La Ligës, të paktën përkohësisht.
Pas disfatës zhgënjyese të fundjavës së kaluar me rezultat 2:0 kundër Real Madridit, Barcelona e Quique Setien kishte shpresuar t’ua kompensonte hidhërimin e javës së kaluar tifozëve me gëzim përmes një fitoreje bindëse në këtë xhiro.
Megjithatë, përderisa katalonasit nuk arritën të sigurojnë fitore me rezultat bindës, ata arritën t’i marrin tre pikët e kësaj ndeshjeje, falë një goli të shënuar nga kapiteni Lionel Messi në minutën e 80-të nga pika e penalltisë.
Kjo penallti e Barcelonës shkaktoi debat dhe paqartësi në rrjete sociale shkaku i rregullave të reja në futboll për prekjet me dorë. Topi e kishte goditur Le Normand në dorë, përderisa ai po tentonte ta largonte topin nga një harkim i Jordi Albas.
Ndeshja fillimisht vazhdoi dhe Real Sociedadi e pati një rast për të shënuar, megjithatë VAR-i ndërhyri pas disa momenteve dhe ia akordoi Barcelonës penalltinë për atë incident – mundësi kjo të cilën e konkretizoi Messi.
“Ne e dinim se do të ishte një ndeshje tmerrësisht e vështirë. Më duket se Real Sociedadi i ka fituar gjashtë ndeshjet e fundit, përfshirë këtu atë në Santiago Bernabeu, plus që ka arritur në finale të Kupës së Mbretit”, tha Setien, pas ndeshjes.
“Ata janë të mirë me topin, s’e humbin atë kurrë. Nëse të bëjnë presion mirë, atëherë mund të të lëndojnë. Ata kanë shumë lojtarë cilësorë. Përveç në disa faza të caktuara, ne e kontrolluam ndeshjen. Pastaj, i patëm disa momente të vëshitra, por krijuam raste të rrezikshme”.
“Ne fituam falë VAR-it. Unë nuk e pashë incidentin e penalltisë nga stoli, isha shumë larg”.
Kjo fitore bën që Barcelona ta marrë kreun e La Ligës me dy pikë më shumë sesa Real Madridi. Megjithatë, madrilenët do ta luajnë ndeshjen e kësaj xhiro të dielën në orën 21:00 kundër Real Betisit.
