Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i ka përcjellë popullit shqiptar urimet për 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë. Në mesazhin e tij, ai vlerëson marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa shprehet se Uashingtoni është i gatshëm të zgjerojë bashkëpunimin me Tiranën në fushat e mbrojtjes dhe politikës së jashtme.
Rubio thekson se lidhja mes dy vendeve mbështetet në sigurinë e përbashkët, zhvillimin ekonomik dhe marrëdhëniet mes qytetarëve. Në mënyrë të veçantë, ai ndalet te lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, duke përmendur angazhimin e përbashkët për të goditur grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Të lidhura
None found
Mesazhi përfshin edhe bashkëpunimin në sigurinë kibernetike. Sekretari amerikan vlerëson punën e dy vendeve për t’iu përgjigjur rreziqeve në këtë sektor, në një kohë kur Shqipëria po forcon kapacitetet e saj kibernetike.
Në përfundim, Rubio shprehet se Shtetet e Bashkuara presin të zgjerojnë më tej çdo aspekt të marrëdhënieve me Shqipërinë, të cilat i konsideron në interes të të dyja palëve. Sipas tij, partneriteti strategjik mes dy vendeve kontribuon që qytetarët e Shqipërisë dhe SHBA-së të jenë më të sigurt dhe më të begatë.

Shqipëria është pjesë e NATO-s prej vitit 2009.
Urimi i sekretarit amerikan u bë në 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Në këtë qytet u zhvillua sot ceremonia shtetërore e ngritjes së flamurit, ku morën pjesë krerët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Ndërkohë, në Tiranë u mbajt një protestë kundër qeverisë.





