Një mot i acartë përfshiu pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara gjatë Ditës së Falënderimeve, duke sjellë përmbytje, ndërprerje të gjera të energjisë elektrike dhe pengesa serioze në qarkullim.
Erërat, që arritën shpejtësinë deri në 113 kilometra në orë, të shoqëruara me reshje intensive, lanë pa energji rreth 1 milion familje. Pensilvania, Virxhinia, Merilendi dhe Nju Xhersi u renditën ndër zonat më të goditura, ndërsa në disa prej tyre rikthimi i furnizimit me energji mund të zgjasë disa ditë.
Të lidhura
None found
Stuhia përkoi me një prej festave kryesore amerikane, kur miliona njerëz udhëtojnë për t’u bashkuar me familjet. Të dhënat e platformës FlightAëare tregojnë se të enjten u anuluan më shumë se 400 fluturime, ndërsa rreth 2.200 të tjera patën vonesa.
Për shkak të përmbytjeve në zonat bregdetare, autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në disa pjesë të Nju Xhersit. Të njëjtat masa u aplikuan edhe në qytetin e Nju Jorkut, Long Island dhe qarkun Westchester.
Washington DC përjetoi reshjet më të dendura të regjistruara ndonjëherë në Ditën e Falënderimeve që prej nisjes së matjeve meteorologjike. Ndërkohë, uji përfshiu edhe pistat e aeroportit kombëtar Ronald Reagan, duke krijuar vështirësi shtesë për fluturimet.
Në Nju Jork, kushtet e këqija atmosferike prekën edhe programin festiv. Parada tradicionale e Ditës së Falënderimeve u shty dhe do të zhvillohet ditën e shtunë.







