Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se Moska do të ndërmarrë veprime hakmarrëse ndaj Ukrainës, duke e akuzuar Kievin se vijon të sulmojë rafineritë e naftës në Rusi, pavarësisht thirrjeve të presidentit amerikan Donald Trump për t’i ndalur goditjet.
Sulmet ukrainase u pakësuan pasi Trumpi njoftoi në mesin e tetorit për një armëpushim energjetik, por rifilluan me intensitet më të madh që nga fundi i muajit të kaluar.
Të lidhura
None found
“Autoritetet e Kievit po vazhdojnë të godasin rafineritë tona, pavarësisht thirrjes dhe kërkesës së drejtpërdrejtë të presidentit amerikan. Në këto kushte, masat shpaguese nga ana jonë janë të pashmangshme”, deklaroi Putin.
Ai kërkoi gjithashtu shtimin e masave të sigurisë për objektet energjetike. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, reagoi duke thënë se Putin mund t’i ndalë sulmet ndaj rafinerive ruse nëse i jep fund luftës.
“Nëse Putinit nuk i pëlqejnë sulmet ukrainase ndaj rafinerive të tij, ai mund të urdhërojë përfundimin e luftës. Nëse nuk dëshiron që anijet e tij ushtarake të goditen, mund t’i japë fund luftës. Boll me ankesa. Jepini fund luftës”, shkroi Sybiha në platformën X.
Dy burime të industrisë, të cituara nga Reuters, thanë se sulmet me dronë të Ukrainës kanë ulur me 45% përpunimin e naftës bruto në rafineritë ruse që nga fundi i tetorit. Në disa rajone ruse janë vendosur kufizime për shitjen e benzinës dhe naftës, ndërsa Putin pretendon se çmimet e benzinës janë stabilizuar pas kulmit të arritur në tetor.
Një tjetër vështirësi për sektorin energjetik të Rusisë vjen nga Bashkimi Europian, i cili ka vendosur të ndalojë blerjen e gazit natyror të lëngshëm rus të transportuar me rrugë detare, duke nisur nga 1 janari. Në dhjetë muajt e parë të vitit, eksportet ruse të gazit të lëngshëm drejt Europës u rritën me 6,3%, në 11,8 milionë tonë.







