Humbjet e lejuara të energjisë elektrike në katër komunat veriore janë përcaktuar në 21.5 për qind. Këtë shifër e bëri të ditur kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, gjatë raportimit të bordit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion.
Çështja u ngrit nga kryesuesi i Komisionit, Arben Mustafa, i cili kërkoi të dinte pse përqindja e humbjeve të lejuara në veri është më e lartë se në komunat e tjera të Kosovës. Ai pyeti gjithashtu cilat investime kapitale janë lejuar në veri, sa prej tyre janë aprovuar dhe cila është vlera e tyre, si shumë dhe në përqindje.
Të lidhura
None found
Gojani shpjegoi se niveli prej 21.5 për qind llogaritet kundrejt energjisë në atë pjesë të vendit. Sipas tij, humbjet e lejuara në raport me të ardhurat e lejuara, apo të ardhurat maksimale të lejuara të FSHU-së, janë 13.3 për qind. Kur përfshihet edhe veriu i Kosovës, kjo përqindje arrin në 14.28 për qind, ose afërsisht 14.3 për qind. Ndikimi i katër komunave veriore në nivelin e përgjithshëm është rreth 0.9 pikë përqindjeje, pra ndërmjet 0.9 dhe 1 për qind.
Mustafa kërkoi më pas të dinte nëse ka matje të veçanta e të sakta për humbjet në katër komunat veriore. Gojani u përgjigj se maten si energjia e pranuar, ashtu edhe ajo e faturuar.
Sipas të dhënave që paraqiti ai, gjatë vitit 2025 në veri janë konsumuar rreth 275 gigavat-orë (GWh) energji elektrike, ndërsa janë faturuar 169 GWh. Kjo do të thotë se rreth 39 për qind e energjisë nuk është faturuar dhe llogaritet si humbje, ku përfshihen humbjet teknike dhe ato komerciale.





