E rrallë, por ndodh që nga Federata Shqiptare e Futbollit të zyrtarizohet një premio. Bëhet fjalë pikërisht për suksesin në Grupin C1 të Ligës së Kombeve.
Komiteti Ekzekutiv ka dhuruar 500 mijë euro premio.
Të lidhura
None found
NJOFTIMI I FSHF
“Arritja e vendit të parë në grupin C1 të UEFA Nations League dhe sigurimi i ngjitjes në Ligën B për edicionin e ardhshëm do të shpërblehet edhe financiarisht për Kombëtaren shqiptare.
Në vlerësim të suksesit të arritur nga kuqezinjtë në këtë edicion të kompeticionit europian, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar një bonus prej 500 mijë eurosh për ekipin kombëtar.
Shqipëria e mbylli aventurën në grupin C1 në vendin e parë me 15 pikë, pas një fushate pozitive në të cilën regjistroi pesë fitore në gjashtë ndeshje.
Fitorja 2-0 ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e fundit vulosi kryesimin e grupit dhe ngjitjen në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Nations League.
Ky shpërblim vjen si vlerësim për rezultatet e arritura, angazhimin dhe punën e bërë nga futbollistët dhe stafi i Kombëtares gjatë këtij edicioni, duke kurorëzuar me sukses një objektiv të rëndësishëm sportiv për futbollin shqiptar”.








